E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Shqipëri, Nancy VanHorn, zhvilloi këtë të premte një takim në ambientet e Kryeministrisë, raporton A2 CNN. Megjithatë, sipas burimeve, ajo nuk është takuar me kryeministrin Edi Rama.
VanHorn u pa teksa largohej nga godina në orët e paradites, ndërsa mbi përmbajtjen dhe temat e diskutimit në takim ende nuk janë dhënë detaje zyrtare.
Ky zhvillim vjen pak javë pasi stafi i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë pati një takim me deputetët e rinj të Kuvendit. Sipas njoftimit të ambasadës, qëllimi i atij takimi ishte njohja me shqetësimet e komuniteteve dhe përparësitë e përfaqësuesve të zgjedhur, në prag të nisjes së mandatit të tyre.
“Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, u shpreh ambasada në atë kohë. a.b











