Policia e Durrësit ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar mbrëmë në Shkozet ndërsa janë arrestuar Erald (Aldi) Mustafa dhe Arbi Haxhiu.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues i Parë Vilson Bala, dha një konferencë për shtyp edhe detaje në lidhje me arrestimin e ish-Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës i cili u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”.
“Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: “Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi”, “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “Shpërdorim i detyrës”.
Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull”, tha drejtori Bala.
Në vijim Bala foli për një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.
“Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit Erald Mustafa 39 vjeç, dhe Arbër Haxhiu, 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.
39-vjeçari Mustafa, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit Ilir Gjeçajt”, shpjegoi drejtori i policisë së Durrësit. a.b











