Deputeti i opozitës në burg, Ervin Salianji përshëndeti sot demokratët korçarë për pritjen e rrallë që iu bë kreut të PD, Sali Berisha dhe solidaritetin me Salianjin.
“Faleminderit Ilir Vrenozi. Zëri yt ka më shumë jehonë se zërat e pushtetit bashkë.
Mirënjohje pa fund për demokratët e Korçës që përherë e në çdo sfidë luftojnë, përballen, vuajnë e fitojnë së bashku. Falenderim për mikun e veçantë timin dhe të çdo demokrati, Ilir Vrenozin, qëndresa, karakteri dhe burrërria e të cilit është frymëzim për çdo demokrat.
Edi Rama tentoi ta joshë, duke përdorur makinerinë e tij të rënde, po ai qendroi i pamposhtur, edhe pse pa media, pa oligarkë, pa pushtet, por vetëm me një telefon e shpirtin e tij të lirë. Vala e ngritur në atë sallë sonte, do rrezatojë gjatë në Korçë e në gjithë vendin.
Forca miq, kurajo. Do të shohim bashkë me 11 Maj se pushteti i vërtetë është i qytetarëve, ndërsa sundimi që ka ngritur autokratuci do të shembet bashkë me të, siç bie një ngrehinë e korruptuar dhe e kriminalizuar, e kalbur në moral”, deklaroi Salianji nga qelia në burgun e Fierit. a.b












