Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, zhvilluan sot një takim të rëndësishëm për forcimin e mekanizmave institucionale në parandalimin dhe ndjekjen e krimeve zgjedhore. Në qendër të diskutimeve ishte krijimi i një protokolli të koordinimit institucional, i cili do të mundësojë bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve përgjegjëse.
SPAK me qasje proaktive – Dumani theksoi nevojën për një angazhim më të madh në trajtimin e rasteve me elementë penalë gjatë zgjedhjeve, duke organizuar struktura të specializuara në nivel qendror dhe lokal për hetimin dhe ndjekjen penale.
Monitorim i zgjeruar në terren – SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme do të kenë prani aktive tre muaj para zgjedhjeve, duke krijuar mekanizma për ndërhyrje të shpejtë në rastet e shkeljeve.
Sistem i unifikuar denoncimi – Qytetarët, shoqëria civile dhe aktorë të tjerë do të kenë mundësi të raportojnë rastet e dyshuara të krimeve zgjedhore, të cilat do të verifikohen nga prokurorët dhe hetuesit.
Trajnime të përbashkëta – SPAK kërkoi bashkëpunim me KQZ për të organizuar trajnime për hetuesit dhe prokurorët, me qëllim identifikimin dhe mbledhjen e provave për veprat penale zgjedhore.
Përdorimi i teknologjisë në monitorim – Komisioneri Celibashi prezantoi ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Procesit Zgjedhor pranë KQZ-së, e cila do të operojë 24/7 me informacion nga terreni, duke përfshirë edhe hetues të SPAK.
Akses në sistemet e raportimit – SPAK kërkoi akses në Ndërfaqen e Raportimit të Aktiviteteve Publike (NIR) të KQZ-së, për të evidentuar shkeljet gjatë fushatës.











