Një person kërcënoi sot se do të hidhej nga pallati derisa ndërhyri policia.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Niko Avrami”, në Tiranë ndërsa policia tha se personi nuk po gjente zgjidhje për probleme pronësie.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, ndërhynë menjëherë për të ndihmuar një 68-vjeçar që kishte hipur në tarracën e një objekti 4-katësh dhe kërcënonte se do të hidhej nga aty.
Pas ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi Q. Z., i cili dyshohet se ishte në efektin e alkoolit, u zbrit nga tarraca dhe u dërgua në spital, për ndihmë mjekësore.
Paraprakisht dyshohet se motivi i rastit është konflikti që ka ky shtetas me familjarët e tij, për ndarjen e pasurisë, çështje e cila është trajtuar më herët nga Policia dhe është referuar në Prokurori”, njoftoi policia e Tiranës. a.b











