Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi dhe Sekretari për çështje ligjore e zgjedhore Ivi Kaso kanë shpjeguar sot amendamente të cilat ndryshojnë rregullat për identifikimin e zgjedhësve në procesin e votimit, propozuar nga PD.
“Me këtë amendament, që do ta shpjegojë më pas zoti Kaso, ne bëjmë të mundur një ndryshim rregulli që përputhet me këtë reformë të jashtëzakonshme që është bërë në të drejtën e votës në Shqipëri, në zgjerimin e kësaj të drejte në gjysmën e elektoratit shqiptar.
Republika e Shqipërisë ka në regjistrat e saj të gjendjes civile, pra në regjistrin kombëtar të gjendjes civile, rreth 4 milionë e 700 mijë shtetas nga 0 deri në sa vjeç jetojnë, pra janë 4 milionë e 700 mijë shtetas shqiptarë. Prej këtyre, zyrtarisht në këtë moment janë 3.7 milionë shtetas me të drejtë vote. Pra janë mbi 18 vjeç.
Më datë 11 maj, 3.7 milionë shtetas kanë të drejtën e votës, pra rreth 1 milion janë në moshën 0 deri në 18 dhe nuk votojnë.
Pra këta 3 milionë e 700 mijë shtetas janë rreth 79% e shtetasve shqiptarë me të drejtë vote.
Në Republikën e Shqipërisë, sipas censusit dhe të dhënave zyrtare të deklaruara çdo vit nga INSTAT për censusin e fundit, në gjykimin tonë janë të dhëna të manipuluara dhe jo të vërteta. Kjo shifër është 2.4 milionë, pra shtetas shqiptarë nga 0 deri në 18 vjeç dhe mbi 18 vjeç, janë 2.4 milionë persona që jetojnë në Shqipëri.
Pra numri i atyre që jetojnë zyrtarisht jashtë Shqipërisë, sipas këtyre të dhënave zyrtare, është 2.3 milionë shqiptarë. Ky numër mund të jetë më i madh, mund të jetë rreth 2.7 milionë.
Bazuar në shifrën zyrtare, në këtë 2.3 milion që jeton jashtë Shqipërisë, duhet të kemi parasysh që aty pjesa më e madhe e popullsisë është në moshë madhore, emigracioni kryesisht përbëhet nga njerëz që janë të aftë për punë, pra mbi 18 vjeç, që janë larguar nga Shqipëria.
Raporti i atyre me të drejtë vote është më i madh sesa raporti i përgjithshëm mesatar, pra më i madh se 79%.
Pra në gjykimin tonë, nëse do të bazoheshim vetëm tek shifra zyrtare prej 79% e 3.7 milionë shqiptarëve që jetojnë jashtë, janë jo më pak se 1.8 milionë shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë jashtë Shqipërisë”, shpjegoi Bylykbashi.
Duke pasur parasysh se ka shumë studentë, njerëz që kanë shkuar për punë, apo se shifra reale është më e madhe, kjo shifër duhet të jetë afër 2 milionë shqiptarë me të drejtë vote jashtë Shqipërisë, shpjegoi ai.
“Është dështim i këtij shteti, i kësaj qeverie që të ketë të dhënat e sakta, ose kur i ka, i manipolon, por ky është realiteti. Po flasim për më shumë se gjysmën e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, që kjo reformë që filloi në vitin 2020 dhe u perfekcionua më së shumti në vitin 2024, u jep të drejtën e votës”, tha Bylykbashi.
Ndërsa Ivi Kaso ka shpjeguar detaje të amandamentit të PD.
”Nëse ka dhjetëra probleme që lidhen me votimin e diasporës, kryeproblemi i tyre është vlefshmëria e dokumenteve të shtetasve. Për ata që kanë dhe i kanë skaduar, për ata që nuk janë pajisur kurrë me një dokument shqiptar dhe për ata që për një arsye apo një tjetër, nuk disponojnë një dokument shqiptar por kanë një dokument të një shteti të huaj.
Janë pikërisht këto që ne kemi përfshirë në këtë amendament, të cilin e kemi paraqitur në Kuvend. Synojnë dhe vlerësojmë që duhet të jetë e njëjta vlerë ligjore dhe e njëjta mundësi atyre të cilëve disponojnë jo vetëm kartën e identitetit të vlefshëm në republikën e Shqipërisë, por edhe ata shtetas që u kanë skaduar dhe atyre që nuk kanë një dokument biometrik shqiptar.
Nuk ka asnjë arsye ligjore që jo vetëm kjo të mos implementohet në procesin zgjedhor, por të krijojë edhe barazi trajtimi midis zgjedhësve.
Synimi jonë ka qenë ta bëjmë këtë të drejtë të barabartë dhe efektive. Është një shqetësim që ne nuk e ngremë për herë të parë. E kemi ngritur në mbledhje e komisione. Ne ua kemi parathënë të gjitha palëve që do ta ngremë këtë shqetësim. Opozita do ta kishte mjaft të thjeshtë nëse do ta shihte votën e diasporës si instrument tregtie, si instrument shantazhi ndaj mazhorancës, mund ta lidhte këtë me çdo lloj kërkesë që do të bënte avantazh për opozitën.
Ka vendosur që këtë gjë ta shtrijë për të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë. Ky është konteksti për të cilën në kemi bërë këtë amendament.
Nëse qeveria do të kishte bërë një proces pa cenuar askënd, do ta kishte bërë para datës 11. Tashmë nuk është më detyrë e qeverisë, por e Kuvendit që të marrë masa.
Për herë të parë kemi një qeveri që kontrollon edhe procesin e dhënies së një dokumenti tek shtetasit shqiptarë”, shpjegoi Kaso. r.p











