Ish shefi i AKI, Bashkim Smakaj
Gjykata Speciale ka arrestuar tre persona të enjten, përfshirë ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), deri në vitin 2015, Bashkim Smakaj. Lajmi u bë i ditur nga Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), përmes një postimi në Facebook.
Sipas Klinakut, përveç Smakajt, janë arrestuar edhe Isni Kilaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, dhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu. “Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë,” shkroi Klinaku në reagimin e tij publik.
Arrestimin e Fadil Fazliut e ka konfirmuar edhe djali i tij, Fahri Fazliu, i cili ka deklaruar se babai i tij është ndaluar rreth orës 08:00 të mëngjesit para banesës së tij në Prishtinë. “Me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës, babai im u arrestua dhe pritet të dërgohet për në Hagë,” tha Fahriu.
Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat funksionojnë me ligjet e Kosovës, ende nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar për arrestimet.
Ky zhvillim ka nxitur reagime të forta nga organizatat e veteranëve, të cilët e konsiderojnë veprimin si një vazhdimësi të presionit mbi ish-pjesëtarët e UÇK-së. Ndërkohë, pritet një deklaratë zyrtare nga autoritetet për të sqaruar arsyet e këtyre arrestimeve dhe hapat e mëtejshëm. r.k












