Një protestë e madhe po zhvillohet sot para bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj Erion Veliaj.
Protesta vjen pas arrestimit të drejtorëve të bashkisë për abuzime me tenderët dhe përfitimin e milionave të bashkisë me kompaninë “5D”.
Në perimetrin rreth Bashkisë kanë zbarkuar forca të shumta policie me në krye kreun e policisë së kryeqytetit Tonin Vocaj. Ky i fundit nuk lejoi anëtarë të këshillit bashkiak të hynin në bashki. Një ditë më parë dyert e bashkisë u blinduan.
Më pas qytetarët do të zhvendosen para Prokurorisë së Posaçme për t’i njoftuar kërkesën e tyre për prangosjen e Erion Velisë.
Protesta është organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa i janë bashkuar partitë opozitare dhe qytetarë.
Më 28 mars u lëshuan urdhër-arreste për 3 drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha, ndërsa 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.
Tusha u arrestua në dhjetor të 2023-shit dhe ndodhet nën akuzë edhe për aferën me inceneratorin e Tiranës.
Nga hetimet e SPAK-ut rezulton se drejtorët e Veliajt kishin krijuar kompaninë “5D” dhe kishin përfituar dhjetëra tenderë të bashkisë. a.b












