Në fund të vitit 2013-të, menjëherë pas ardhjes në qeveri, socialistët firmosën një memorandum mirëkuptimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar me qëllim marrjen e një huaje prej 330 milion eurosh. Në këtë marrëveshje Shqipëria angazhohej që do të përmbushte 22 kritere për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, konsolidimin fiskal dhe marrjen e masave për të mos krijuar më detyrime të prapambetura në sektorin publik. Por kjo marrëveshje, e cila përfundon më 28 shkurt të vitit 2017-të nuk do të rinovohet më.
Vizion Plus ka mësuar se qeveria do të mbajë vendin e saj në Fond, por jo me kushtet që ka sot, ku FMN ka rol vendimtar në shumë politika ekonomike që ndërmerren, që nga taksat e deri te mënyra se si shpenzohen paratë në buxhet. Burimet thonë se deri në muajin nëntor, FMN do të ketë rolin monitorues të programit që ka firmosur me Shqipërinë, e pas këtij muaji pozicioni i saj do të jetë vetëm këshillues. Vizion Plus e ka pyetur për këtë çështje edhe ministrin e Financave Arben Ahmetaj, i cili është shprehur se tashmë që ekonomia ka hyrë në fazën e rritjes së saj, nuk është më i domosdoshëm sa më parë monitorimi që Fondi i bën Shqipërisë.











