SPAK ka publikuar sot të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj si dhe arsyet pse kërkon arrestimin e tij.
SPAK ka ngritur tre akuza në drejtim të Ahmetajt, i cili ka mbajtur postin e numrit dy të qeverisë, si dhe ka drejtuar ministrinë e Financave.
Detajet nga SPAK:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar proçedimin penal të vitit 2022 për 3 vepra penale në ngarkim të Arben Ahmetaj.
SPAK ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit: Arben AHMETAJ, i biri i Nevruz dhe i Ferdane, lindur në Gjirokastër.
Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të:
“Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
“Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.












