Pas atentatit të dështuar ndaj të dënuarit Gazmir Daci, në burgun e Vaqarrit, i dyshuari si autor i ngjarjes hedh poshtë akuzat e ngritura ndaj tij. Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Ergys Kolaverin, i cili akuzohet si autor i sulmit me armë në burgu e Vaqarrit, ku u plagos një i dënuar kosovar.
Avokati i Ergys Kolaverit pretendon se klienti i tij nuk ka lidhje me ngjarjen, dhe nuk ka qenë ai personi që qëlloi me snajper ndaj të dënuarve që ndodheshin në ajrim. Sipas avokatit, kjo është një telenovelë e sajuar, pasi Gazmir Daci nuk ka qenë fare në ajrim në momentin që është qëlluar nga jashte.
NGJARJA
Më datë 30.07.2016, rreth orës 16:30, në ambientet e ajrimit, brenda I.E.V.P, Vaqarr, Tiranë, është plagosur me armë zjarri në pjesën e këmbës shtetasi Lili Dulaj, i dënuar më parë në shtetin e Kosovës, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe aktualisht i ndaluar me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhunë në familje”. I cili ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet ka rezultuar se ky person është goditur nga një distancë e konsiderueshme jashtë mureve rrethuese të këtij burgu dhe ndaj tij është qëlluar me një armë zjarri.












