Në lidhje me një video të publikuar në portale ditën e sotme, në të cilën shfaqen disa të mitura që dhunojnë një bashkëmoshataren e tyre, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video si dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Pas verifikimive të kryera për identifikimin e tyre, në bashkëpunim edhe me drejtorinë e shkollës, u bë i mundur identifikimi i një të mituri që kishte filmuar konfliktin, si dhe identifikimi i 4 të miturave të përfshira në konflikt.
Në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në prezencë të prindërve dhe të punonjësve socialë, janë shoqëruar dhe po intervistohen 5 të mitur të moshave 13 dhe 14 vjeç (një djalë e 4 vajza).
Nga verifikimet paraprake të kryera, ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur me datë 15.02.2023, në rrugën “3 Dëshmorët”, dhe jo në ambientet e shkollës “Kongresi i Manastirit”.
Vijon puna për sqarimin e rrethanave të konfliktit nëpërmjet shtetaseve të mitura. a.b











