Një grua humbi jetën në Mirditë pasi u qëllua me një plumb pistolete brenda në shtëpi. Paulin Paçuku ka qënë duke pastruar armën ndërkohë që qëlloi me një plumb të shoqen Vitore Paçuku.
Detajet:
Spitali Rajonal Rrëshen ka njoftuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Mirditë, se ishte dërguar nga të afërmit e saj, për ndihmë mjekësore, shtetasja Vitore Paçuku, e plagosur me armë zjarri, e cila si pasojë e dëmtimeve kishte humbur jetën.
Nga verifikimet paraprake të kryera nga shërbimet e Policisë, dyshohet se në fshatin Jezull, Mirditë, në banesë, shtetasi Paulin Paçuku, 61 vjeç, duke pastruar një armë zjarri pistoletë, ka qëlluar aksidentalisht bashkëshorten e tij, shtetasen Vitoren 54 vjeçe, e cila është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, nga të afërmit e saj, por si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.
Paulin Paçuku është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mirditë, për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa arma e zjarrit pistoletë është sekuestruar në cilësinë e proves materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijon punën në vendngjarje, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. r.k











