Forcat ruse morën nën kontroll centralin bërthamor më të madh në Evropë, thanë zyrtarë të Ukrainës disa orë pasi një zjarr shpërtheu në uzinën e Zaporizhzhia, qytet në juglindje të Ukrainës.
Sipas autoriteteve zjarri është nën kontroll.
“Europa duhet të zgjohet tani, centralit më të madh bërthamor në Evropë iu vu zjarri, tanket ruse i vunë flakën njësive nukleare. Këto janë tanke të pajisura me imazhe termike, kështu që ata e dinë se ku po sulmojnë, ata po përgatiteshin për këtë aksion”, ka thënë presidenti ukrainas Zelensky.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhia në Ukrainë është më i madhi në Evropë. Ai ndodhet në jug të vendit, pranë lumit Dnieper dhe ka një kapacitet total prej pothuajse 6,000 megavat – ose mjaftueshëm për të furnizuar me energji elektrike rreth katër milionë shtëpi.
Ndërtimi i këtij centrali filloi në vitin 1979 kur Ukraina ishte ende pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Janë gjashtë reaktorë të projektuar nga sovjetikët në vend, i fundit prej të cilëve u vu në punë në vitin 1995. Këta reaktorë kanë një jetëgjatësi nga 40 deri në 60 vjet.
Në kohë normale, Zaporizhzhia mund të prodhojë rreth 20% të të gjitha nevojave të Ukrainës për energji elektrike dhe gjysmën e energjisë së saj bërthamore.
Ndërsa rusët po avancojnë nuk kanë hequr dorë nga objektivi numër 1 vrasja e Zelenskit. Presidenti ukrainas u ka shpëtuar të paktën tre përpjekjeve për ta vrarë atë javën e kaluar, raporton The Times.
Dy grupe të ndryshme thuhet se u dërguan për të vrarë presidentin Zelensky. Bëhet fjalë për mercenarë nga grupi Wagner i mbështetur nga Kremlini dhe forcat speciale çeçene. Të dy u penguan nga elementë kundër luftës brenda Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB).
Mercenarët e Wagner në Kiev kanë pësuar humbje gjatë përpjekjeve të tyre dhe thuhet se janë alarmuar nga sa saktë ukrainasit i kishin parashikuar lëvizjet e tyre. Një burim i afërt me grupin tha se ishte “e frikshme” se sa mirë dukej se ishte ekipi i sigurisë i Zelenskyt.
Situata në Ukrainë ka ngritur zërat brenda NATO për konsiderimin e disa opsioneve në përballje me Putinin.
Ministri i Jashtëm i Letonisë thotë se NATO duhet t’i mendojë të gjitha opsionet, kur u pyet për mundësinë e konfliktit të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Edgars Rinkēvičs tha për BBC se qeveritë e shteteve të aleancës nuk duhet të përjashtojnë asnjë masë për të ndaluar pushtimin e Ukrainës.
“Mendoj se duhet të marrim në konsideratë të gjithë opsionet, por duhet të kuptojmë edhe se, le të themi, politikat e NATO-s mund të zbatohen vetëm nëse të gjithë shtetet bien dakord”, tha ministri i Jashtëm.
I pyetur nëse NATO mund të detyrohet që të arrijë një marrëveshje jo edhe aq të pëlqyeshme me Rusinë, ai u përgjigj: “Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi. Prandaj them se nuk duhet të përjashtojmë asnjë opsion”. r.j











