Lideri i demokratëve, Sali Berisha, mbajti një fjalim në tubimin përmbyllës të fushatës së 6 marsit në Dibër të Premtim Kryemadhit, kandidatit të Shtëpisë së Lirisë në Dibër duke theksuar se fitorja e tij i hap rrugën për zgjedhje të parakohshme dhe rikthimin e PD-së në pushtet.
“Çdo votë më 6 mars është votë për Shqipërinë, për Kosovën, në interes të paqes në rajonin tonë. Ndaj u bëj thirrje që votat të shkojnë për Premtim Kryemadhin. Asnjë votë për përfaqësuesin e Edi Ramës, që e falimentoi këtë bashki.
Por krahas tij kemi edhe kandidatin e Lulzim Bravës. Po i them se je i regjistruar në librin e zi të Dibrës për heshtjen tënde ndaj mbytjes së Dibrës me hidrocentralin e Skavicës dhe bashkimin tënd me Edi Ramën. Sikundër u bëj thirrje: asnjë votë për kandidatin e tij sepse është gjithçka e stisur kundër opozitës së vërtetë, kundër PD-së së vërtetë. Ju bëj thirrje demokratëve të Dibrës, me 6 mars të bashkohemi më shumë se kurrë, nuk u lidh asgjë me Lulzim Bravën dhe kandidatin e tij.
Votoni Premtim Kryemadhin, votoni për bashkinë tuaj. Votoni për të hapur dyert për zgjedhjet e reja të parakohshme dhe rikthimin e PD-së në pushtet.
U bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë që gjatë këtyre tre ditëve të bëjmë gjithçka që njerëzit të votojnë më 6 mars për kandidatët e Shtëpisë së Lirisë, të votojnë për ndryshimin, të votojnë për fitoren e PD dhe zgjedhjet e reja parlamentare dhe rikthimin në pushtet,” tha Berisha.
Në vijim Berisha tha se me 6 mars Edi Rama vjen për të kërkuar votën tuaj me kandidatin e tij me dy fytyra. Njëra është një fytyrë me të cilën ai ka dëshmuar se jo qytetari, por qeveritari është në epiqendër të interesave të tij. Kurrë më shumë se gjatë qeverisjes së tij nuk është rritur varfëria dhe mjerimi.
Ai ka marrë përsipër t’i bëjë Dibrës atë që nuk ia ka bërë asnjë pushtues: të mbysë nën ujë Dibrën më pjellore, por edhe Dibrën historike, vend-origjinën e Skënderbeut, të mbysë nën ujë dhjetëra e dhjetëra fshatra, përfshi shtëpi dhe varreza. Përse? Për të prodhuar 100 kilovat energji më shumë në Skavicë.
Unë jam marrë jo pak me hidrocentralin e Skavicës, por kam arritur në përfundimin e prerë se ai nuk duhet të ndërtohet kurrë në variantin që përmbyt fshatrat e Dibrës.
Ju garantoj se nëse do votoni Premtim Kryemadhin, ai kurrë nuk mund të ndërtojë Skavicën pa qeverinë vendore.
Dy fjalë ju them për Rrugën e Arbrit: Ajo duhej të mbaronte në vitin 2015, e ka zgjatur 7 vite vetëm për praktika korruptive. Por të harrojë se do vendosë trau. PD në pushtet nuk do pranojë kurrë tra në Rrugën e Arbrit.
Ndaj votoni Premtim Kryemadhin që të çelim rrugën për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme dhe fitoren e PD. Me rikthimin e PD, do rikthehet universiteti. Rama do përfundojë aty ku e kanë vendin autokratët, kurse Dibra do ketë universitetin e saj. Betejën do e fitojë universiteti,” tha Berisha.
Kandidati i Shtëpisë së Lirisë për Dibrën në zgjedhjet e 6 marsit, Premtim Kryemadhi, premtoi se nuk do të lejojë projektin e Skavicës për Dibrën.
“Unë dhe ju do i themi jo Skavicës, këtij projekti shkatërrues për Dibrën,” tha ai.
“Kryeministri duhet të na japë llogari se përse në 9 vite nuk i ndërtoi këto 30 kilometra të Rrugës së Arbrit. Ai duhet të përgjigjet edhe për lajmet se do vendosë traun në këtë rrugë.
Ai i ka keqqeverisur dibranët dhe i ka vjedhur në këto vite. Sot Bashkia e Dibrës është numri një në vend sa i përket borxhit. Është zhytur në borxh dhe infrastruktura e shërbimet mungojnë kudo.
Në këtë mandat të shkurtër nuk premtoj mrekulli, por dy gjëra do premtoj: transparencën e fondeve dhe llogaridhënie për ata që kanë abuzuar. Së dyti, administrata do jetë në shërbimin tuaj. Kjo është kohë e mjaftueshme për të arritur këto gjëra.
Kandidatët i kam ftuar në një debat publik. Përgjigja të paktën deri më tani ka munguar. U bëj një thirrje që të ulemi dhe të firmosim një pakt, ku cilido prej nesh t’i thotë jo Skavicës. Nëse nuk e firmosin ata këtë pakt, unë do e firmos atë me qytetarët e Dibrës më 6 mars,” tha Kryemadhi.
Në takim kandidati i Shtëpisë së Lirisë u mbështet edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. a.b











