Në mënyrë të përsëritur, një efektiv tjetër policie ka humbur jetën dje, në përplasje me armë me një të sëmurë mendorë. Pas vrasjes së efektivit në Lazarat dhe atij në Shkodër, vrasja e djeshme e efektivit të FNSH-së, Ardian Kodra, demonstroi paaftësinë e radhës në organizimin dhe realizmin e operacioneve të policisë, në paralizimin dhe ndalimin e të kërkuarve.
Një ditë pas vrasjes së efektivit të policisë në Torovicë, megjithëse vetë Haki Çako dhe vartës të tij, ishin në vendin e ngjarjes, përgjegjësia për operacionin e dështuar, sikurse ndodh rëndomë, “iu faturua” më të dobëtit.
Dhe për operacionin e dështuar dje në Torovicë, drejtori i Përgjigjëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, ka gjetur fajtorin dhe “ia ka deleguar” përgjegjësinë e dështimit varësit të tij në Lezhë, Dritan Lena, drejtori i Policisë Vendore në këtë qark.
“Për Menaxhim jo të mirë të situatave në Lezhë. Për shkelje të procedurave standarde”, kryepolici i Lezhës është pezulluar sot, pas jo më shumë se dy muaj në këtë pozicion.
Përballë nevojës për plane veprimi apo studime të zonave e personave problematikë, duket policia dhe drejtuesit e saj ka “humbur nuhatjen”, për deri sa është shndërruar në një “forcë e madhe” e korrjes së arave pa mbarim me kanabis.











