Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u takua sot me homologun austriak Karl Nehammer. Pas takimit të dy u përgjigjën në pyetjet e gazetarëve.
Pyetje-përgjigje:
Ministri Çuçi: Austria është një partner historik i Shqipërisë dhe një avokat i zjarrtë i përfshirjes dhe futjes së Shqipërisë, integrimit të Shqipërisë në BE. Në fushën e sigurisë ne kemi gjithashtu një partneritet të gjatë me Austrinë, qoftë në fushën bilaterale qoftë në përbërje të organizmave apo të instrumenteve të BE. Tashmë Shqipëria është një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm i pothuajse të gjithë vendeve të BE në fushën e sigurisë. Besoj që është e barabartë tashmë në të gjitha nismat që merren në fushën e sigurisë, dhe sigurisht që Austria në këtë pikëpamje mbetet një nga partnerët tanë më të rëndësishëm.
Sot biseduam me Ministrin për të gjithë axhendën e përbashkët në këtë bashkëpunim. Ne kemi një terren të qëndrueshëm për sa i përket akteve rregullatorë. Kemi disa marrëveshje që rregullojnë marrëdhënien tonë në këtë bashkëpunim. Por gjithashtu folëm për projektet e të ardhmes që kanë të bëjnë së pari me sigurimin e kufijve të Shqipërisë, të Austrisë dhe të BE-së për t’u mbrojtur nga migracioni i jashtëligjshëm, me parimin që ne gjithmonë e kemi në qendër të politikave tona që jemi një vend human por me kufij të sigurt. Dhe qoftë në vazhdimin e trajnimit të forcave policore shqiptare sidomos të krijimit të një Njësie Speciale të Forcave Policore Alpine, ku Austria gjithsesi mbetet një lider në Europë.
E mirëprita edhe propozimin e kolegut tim, në lidhje me krijimin e një platforme të përbashkët në fushën e luftës kundër migracionit, ku vendet e Ballkanit bashkë me Austrinë dhe vendet e tjera të BE-së do të shkëmbejnë informacione dhe eksperienca në mënyrë të drejtpërdrejtë për të parandaluar emigracionin e paligjshëm në Rajon dhe në Europë.
Kështu që besoj se tashmë të gjithë agjencitë tona ligjzbatuese janë të pozita të barabarta dhe janë plotësisht në terren të besueshëm partneriteti me agjencinë ligjzbatuese të Austrisë, dhe më gjerë të gjithë Europës.
Ministri Nehammer: Patëm një bisede shumë intensive sot me njëri-tjetrin. Por përpara se të ndalem te përmbajtja e tyre, më lejoni që familjes së policit të vrarë dje, t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ministri i Brendshëm Çupi më informoi për aktin e tij heroik dhe unë i jam shumë mirënjohës Policisë Shqiptare për angazhimin e saj, sepse gjithçka që investon Shqipëria për sigurinë e saj, është edhe një siguri e fituar për Austrinë.
Në këtë kuadër në folëm konkretisht për bashkëpunimin policor. Ne ramë dakord për projekte të përbashkëta, nga njëra anë që prekin Policinë Alpine, por ramë dakord edhe për programe të formimit dhe trajnimit për sa i përket njësive speciale dhe ofruam mbështetjen tonë për trajnime nga njësia speciale austriake “Kobra” dhe një forcim të bashkëpunimit për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Ministri i Brendshëm e ceku temën, që ne na bashkon që është lufta e përbashkët ndaj migracionit të paligjshëm. Për ne, në këtë kuadër, Shqipëria është një partner i rëndësishëm strategjik dhe Austria i gëzohet edhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në platformën për luftën ndaj migracionit të paligjshëm. Ne të dy i gëzohemi një bashkëpunimi dhe partneriteti të përbashkët në fushën e sigurisë së të dyja vendeve.
Pyetje: Z. Çuçi, ditën e djeshme është vrarë një efektiv policie dhe megjithatë akoma nuk është transparente se çfarë bënin policët në atë zonë. Kanë qenë 3 efektivë policie, flitet për 110 rrënjë kanabisi, por asgjë s’ka zyrtare. Çfarë bënin policët në atë zonë, konkretisht, edhe pse ai tha kishte jelek antiplumb? A ka tashmë një plan masash për parandalimin e ngjarjeve të tilla?
Ministri Çuçi: Nuk e di nga e prisni sqarimin, por Policia e ka bërë të qartë edhe operacionin për të cilin forcat e policisë ishin dje në atë ngjarje, për fat të keq, tragjike, për një nga oficerët tanë më të mirë, kështu që besoj se në Drejtorinë e Policisë do të merrni gjithë informacionin në lidhje me të gjithë procedurat e ndjekura në atë situatë.
Pyetje: Çfarë plani konkret ekziston për luftën kundër migracionit ilegal, për drogën dhe krimin e organizuar?
Ministri Çuçi: Ashtu siç unë e theksova, e theksoi dhe kolegu im, ne sigurisht, përveç gjithë strategjisë që kemi për të luftuar këtë fenomen qoftë për sa i takon emigracionit të paligjshëm, qoftë trafiqeve të paligjshme, tashmë po vendosim ura bashkëpunimi dhe komunikimi të ngushta, të drejtpërdrejta, me partnerët tanë europianë. Një nga partnerët tanë të rëndësishëm, me të cilin kemi filluar tashmë nëpërmjet asaj platforme, që përmendi dhe Ministri, është me Austrinë. Kështu që besoj se sot Policia Shqiptare, për sa i takon fushës së sigurisë, është një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm i gjithë vendeve europiane.
Në lidhje me këtë mund t’ju them, që ne kemi edhe operacione të përbashkëta, me Policitë Europiane, me Policinë Italiane, me Policinë Gjermane, me Policinë Holandeze, me Policinë Austriake në kuadër të operacioneve të përbashkëta, me më shumë se 10 vende konkrete për të luftuar qoftë emigracionin e jashtë ligjshëm, qoftë trafiqet e jashtëligjshme. Tashmë ky është një fakt dhe është një bashkëpunim mbi baza të thella besueshmërie.
Pyetje: Z. Ministër, jemi pothuaj 24 orë pas ngjarjes, a ka kryer hetime SHÇBA-ja lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë, si planin e masave për dërgimin e këtyre punonjësve dhe gjithë veprimet e tjera, edhe planin më pas që kanë ndjekur për kontroll e deri sa kanë ndaluar 21-vjeçarin?
Ministri Çuçi: SHÇBA bën punë e saj brenda ligjit dhe ju lutem të mos merremi me këto çështje. Sot është dita kur do përcjellim “Dëshmorin e Atdheut” drejt varrezave të dëshmorëve. Do të flasim gjatë ditëve në vijim.
Pyetje: Z. Ministër, a është çështje statistikash apo çfarë, pse nuk ka njoftime për disa operacione që janë bërë kundër kultivimit të bimëve narkotike, ose janë me vonesë ose nuk ka fare, për asgjësimin e tyre, qoftë me pamje filmike, siç ndodhte?
Ministri Çuçi: E keni gabim, statistika ka, ato botohen çdo muaj, dhe mund të shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe aty keni statistikat që botohen në mënyrë periodike edhe me partnerët tanë që na ndihmojnë në këtë betejë. Ju siguroj që lufta kundër fenomenit të mbjelljes dhe trafikut të kanabisit ka shënuar një nga majat e veta këtë vit. Janë shumë tregues, qoftë të drejtpërdrejtë, qoftë të tërthortë që e tregojnë këtë gjë. Së pari, është numri i hektarëve dhe parcelave që janë asgjësuar, e dyta është pikërisht presioni që është rritur dhe nga trafikantët, në lidhje me mungesën në treg të këtij produkti narkotik, dhe janë edhe të dhëna të tërthorta. Për shembull, nuk ka asnjë gomone të kapur që nga fillimi i vitit përveç një gomone që kemi kapur ne në brigjet tona. Por në Itali nuk ka as edhe një gomone sivjet të kapur me kanabis nga forcat italiane, kjo për të mos thënë pastaj rritja e çmimit në majat e veta. Pra të gjitha këto janë tregues që ky fenomen është zvogëluar në mënyrë të jashtëzakonshme, dhe besoj se do të jetë një nga vitet më të suksesshme të luftës kundër trafikimit dhe mbjelljes së kanabisit në Shqipëri. Faleminderit.











