Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi tha sot gjatë një interviste në top channel, se deputetë demokratë janë ftuar në takime nga Ambasada Amerikane.
Takimet janë kryer para se Lulzim Basha të merrte vendimin për përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar, pasi ish-kryeministri u shpall “non grata” nga SHBA. Sipas Bardhit bëhej fjalë për takime informuese lidhur me çështjen, ku ka qenë i pranishëm edhe ai vetë.
Bardhi mohoi t’i jenë vënë përballë fakte në lidhje me vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Është e vërtetë që në Ambasadën Amerikane janë thirrur njerëz nga PD para se Basha të merrte vendimin? Janë rreth 10 persona?
Bardhi: Po është e vërtetë. Disa deputetë të Grupit Parlamentar të PD-së kanë pasur në dijeninë time kontakt nga ambasada e SHBA-ve. Një proces informimi mbi çështjen. Janë informuar një pjesë e konsiderueshme e deputetëve të PD.
Pyetje: Ju vetë keni qenë në këto takime?
Bardhi: Po edhe unë kam pasur takim. Kam qenë më i informuar për shkak të pjesëmarrjes në disa takime ku kanë qenë prezentë edhe zyrtarë të tjerë të SHBA-së.
Pyetje: A ju janë vënë përballë fakte?
Bardhi: Jo. Mua jo. Nuk ka qenë ky qëllimi.
Pyejte: Përse shërbente ky lloj informimi?
Bardhi: Kjo është një çështje për të cilën duhet të pyesni Ambasadën e SHBA-ve. Ajo që mund të konfirmoj është që po, disa nga kolegët e Grupit Parlamentar të PD kanë pasur kontakte me përfaqësues të SHBA-ve në Shqipëri.











