Partia Demokratike nuk e ka përfshirë në listën e grupit edhe Sali Berishën.
Në shkresën që PD i ka dërguar Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha nuk rezulton që të jetë pjesë e grupit.
Ndërkohë më herët, ish-kryeministri Sali Berisha ka depozituar formularin e vetëdeklarimit në Kuvend, ku thotë se është anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së pas vendimit të marrë nga kreu i PD, Lulzim Basha, një ditë para nisjes se seances plenare.
Në reagimet e tij të vazhdueshme Berisha e konsideron vendimin e Bashës nul dhe ndër të tjera gjatë një interviste televizive tha se do të marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së “sa herë që t’i teket”.
Gjatë seancës së sotme Berisha iu bashkua vendimit të Bashës dhe deputetëve të tjerë të PD për t’u larguar nga salla e Kuvendit, duke mos votuar përbërjen e komisioneve parlamentare.











