Komiteti i Ekspertëve u mblodh sot per të diskutuar masat mbrojtëse pas zbulimit të rasteve me variantin Delta të Covid 19.
Rakacolli: Në vend ka rritje të lehtë të numrit të rasteve, por pavarësisht kësaj vendi mbetet në situatë të qendrueshme. Në rajon, Europë dhe botë, vihet re një rritje më e ndjeshme e rasteve. Tashmë në Shqipëri është vërtetuar dyshimi i ISHP-së për praninë e variantit Delta në Shqipëri, virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri.
Albana Fico: Nga Berlin ka ardhur përgjigja për praninë e Deltës në Shqipëri. Mesatarja ditore e rasteve të reja është rritur, së bashku me numrin total të të infektuarve, numri i bashkive ku ka të infektuar ka shkuar në 10. Në shërbimin e sëmundjeve infektive gjenden të shtruar 9 pacientë, nuk kemi pasur humbje jete gjatë kësaj jave. Ka shkuar në rreth 500 mijë numri i vaksinave të kryera me dy doza.
Janë 21 mostra që kemi çuar në Berlin të konfirmuara me Delta, e rëndësishme është që këto mostra i kemi gjetur të përhapur në shumë qytete të vendit. E rëndësishme është që të kuptojmë se e gjithë kjo përpjekje ka një vlerë të veçantë, që vaksinimi të shoqërohet me respektimin e masave që janë në fuqi.
Rastet me variantin Delta janë zbuluar në Tiranë, Korçë, Shkodër, Peqin, Gjirokastër, Mat dhe Vlorë.
Nuk e kemi përfunduar luftën me pandeminë, nuk duhet të harrojmë se virusi është prezent. Të gjithë personat që kanë simptoma të vetëizolohen dhe ti drejtohen mjekut të familjes. Ne do të vazhdojmë të çojmë mostra në Berlin, për të mbajtur nën kontroll situatën epidemiologjike.
Shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino ka dhënë detaje mbi personat e diagnostifikuar me variantin Delta në Shqipëri, 6 prej të cilëve kanë qenë të vaksinuar. Bino tha se ajo që është e rëndësishme është fakti se asnjë prej të infektuave nuk ka paraqitur gjendje të rëndë.
Sipas Binos një pjesë e mirë e personave me Delta kanë qenë persona që kanë pasur historik udhëtimi jashtë vendit. Sa i takon mundësisë së bërjes së një doze të tretë vaksine anticovid, Bino e la të hapur këtë mundësi, dhe është çështje që duke u diskutuar nga ekspertët.
Silva Bino:
Janë 6 raste që kanë qenë të vaksinuar, 2 të vaksinuar me astra zeneca në Mbretërinë e Bashkuar, dy të tjera kanë qenë me 1 dozë të Pfizer në Gjermani, 2 raste të tjera kanë qenë të vaksinuar me Coronavac.
Pavarësisht rasteve, ajo që ka rëndësi për t’u theksuar është se asnjë prej rasteve nuk kanë pasur nevojë për trajtim spitalor. Në spitale po rritet numri i të rinjve që kanë nevojë për kujdes spitalor, a po ndodh kjo te ne? Akoma jo!
Planifikimin për një dozë të tretë jo vetëm për vaksinën Coronovax është duke u marrë në konsideratë nga grupi i ekspertëve. Testi i antitrupave nuk është një gjë që rekomandohet për të matur nivelin e antitrupave. U them qytetarëve që të vaksinohen dhe të ruhen, të mos rendin për të matur nivelin e antitrupave.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe shefja e Task-Forcës anti-Covid, Mira Rakacolli pranoi sot se varianti indian i koronavirusit, ‘Delta’, qarkullon gjerësisht në Shqipëri.
Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve këtë të hënë, Rakacolli tha se prania e mutacionit ‘Delta’ në vendin tonë është vërtetuar zyrtarisht nga laboratori në Berlin.
“Është vërtetuar zyrtarisht nga Berlini dyshimi i ISHP për praninë e variantit Delta të virusit në Shqipëri. Kampionet në këtë laborator u dërguan nga disa rajone të vendit gjë që tregon që virusi qarkullon gjerësisht në Shqipëri”, tha Rakacolli.
Ndërkohë, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat kufizuese për shkak të situatës nga koronavirusi, edhe pas konfirmimit zyrtar se në vendin tonë qarkullon varianti indian i Covid-19, i njohur si ‘Delta’.











