Gjykata Kushtetuese rrëzoi propozimin e qeverisë për pezullimin e cështjes së zgjedhjeve lokale një orë pasi kishte nisur shqyrtimi i padisë së shoqatës së bashkive për të shpallur të paligjshme zgjedhjet e 30 qershorit te vitit 2019.
Kushtetuesja u ka dhënë një orë kohë palëve për të shqyrtuar dosjen.
Më herët palët e interesuara në proces paraqitën kërkesat e tyre mes të cilave ishte ajo e qeverisë për pezullimin e cështjes.
Elira Kokona nga Këshilli i Ministrave:
“Nuk na është vënë në dispozicion statuti i shoqatës së bashkive. Kërkojmë kopjen e prokurës për zonjën Ademi si përfaqësuese e shoqatës. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet për organet drejtuesve te shoqatës. Kërkojmë pushimin e gjykimit për shkak të juridiksionit të gjykatës kushtetuese. Për aq kohë sa është pranuar shoqata e bashkive, duhet të pranohet edhe shoqata e autonomisë vendore”.
Këshilltari i presidentit Ilir Meta, Bledar Dervishi:
“Pretendimi i shoqatës së Bashkive, është prej 2019. Shoqata tjetër e Bashkive ka pasur tendencë jo vetëm të ushtrojë funksionin e saj, por edhe të largojë nga drejtimi përfaqësuesit e kësaj shoqate. Qëllimi ka qenë që të uzurpojnë këtë shoqatë. Unë kërkoj që të rrëzohet kërkesa që ajo shoqatë të bëhet pjesë e këtij procesi. Këshilli i Ministrave kërkon pezullim të çështjes, derisa gjykata e Tiranës të shprehet sa i takon organeve drejtuese të shoqatës. Gjithashtu kërkojnë pushim të gjykimit, pasi nuk ka kompetencë për këtë çështje. Të dy shoqatat kanë të drejtë të jenë pjesë e këtij procesi”.
Jordan Daci, përfaqësuesi i shoqatës së bashkive (Voltana Ademi):
“Nuk duhet të marrë pjesë si subjekt i interesuar, pasi janë në konflikt interesi. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që mos ta pranojë pasi është jashtë afateve. Këshilli i Minstrave nuk mund të jetë palë e interesuar, pasi pushteti lokal është i pavarur. Edhe avokatura e shtetit, nuk mund të jetë palë në këtë proces, pasi i shërben gjithë shtetit dhe nuk mund të përfshihet. Gjykata kushtetuese: pozicionimet e palëve janë në diskrecionin e tyre”.
Gjykata Kushtetuese pritet të japë sot vendimin e saj për dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili anuloi 30 qershorin, si datën e zhvillimit të zgjedhjeve lokale, ndërsa dekretoi 13 tetorin e 2019-ës si datën e ligjshme për këto zgjedhje. Seanca e zhvilluar sot vjen pas kërkesës së kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila si kryetare e Shoqatës së Bashkive, kërkon shpalljen si të pavlefshme të zgjedhjeve të 2019. a.b











