Ambasadorja Yuri Kim ka theksuar sot përmes një postimi në Tëitter, rekomandimin e ONM drejtuar Komisionerit Publik për të ankimuar vendimin e KPK që la në detyrë kryeprokuroren e Tiranës, Elisabeta Imeraj.
“Në përputhje me rolin e tyre kushtetues në procesin e vetingut, vëzhguesit ndërkombëtarë dje u rekomanduan Komisionerëve Publikë që të apelojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për një çështje të rëndësishme.
Të gjithë duhet të ndjekim nga afër se çfarë do ndodhë më pas. Përgjigjja do të jetë shfaqje guximi & integriteti në dhënien e drejtësisë apo, siç kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, shmangie e përpjekjeve duke sulmuar procesin e vetingut & përfolur vëzhguesit ndërkombëtarë?.
A do t’i shërbejnë mediat publikut dhe ta mbulojnë këtë çështje me integritet, apo do të marrin telefonata dhe do të pranojnë të qëndrojnë të heshtur dhe të verbër? Është koha për të treguar guxim dhe integritet. Koha për të thyer modelet e vjetra që dëmtojnë Shqipërinë. Koha që Shqipëria të ecë përpara, hap pas hapi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ju”, thekson ambasadorja Kim në reagimin e saj.
Elizabeta Imeraj, aktualisht drejton Prokurorinë e Tiranës dhe përgjatë procesit të vetingut pati debat të ashpër me përfaqësuesin e ONM në proces, Jakobs.
KPK publikoi vendimin e zbardhur për Elisabeta Imerajn ku ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtar nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret. a.b












