Gjykata Kushtetuese vendosi sot zgjerimin e objektit të hetimit për çështjen e Teatrit Kombëtar, duke përfshirë edhe vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës, mbi shembjen e Teatrit Kombëtar.
Kërkesa tjetër e bërë nga presidenca, për të cilën pritet që të jepet vendim gjatë ditës së nesërme, është pezullimi i të gjitha veprimeve mbi truallin e Teatrit Kombëtar, derisa të jepet një vendim final për çështjen e shembjes.
Gjatë fjalës së tij jashtë Kushtetueses, keshilltari ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj tha se janë njohur së fundi me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për prishjen e Teatrit, dhe nesër Kushtetuesja do të dëgjojë palët, dhe më pas do të japë vendim nëse do të vazhdojë apo jo projekti për kullat pranë Teatrit.
‘Pas administrimit të provave shtesë që solli këshilli i ministrave, ne u njohëm më në fund me kopjen e aktit që ka vendosur për prishjen e Teatrit Kombëtar, vendim i këshillit bashkiak, i datës 14 Maj, i orëve të vonave.
Pasi pamë vendimin, kërkuam shtimin e objektit, për deklarimin antikushtues të këtij vendimi, dhe kërkuam pezullimin për ndërtimin e godinave bashkëkohore me kulla mbrapa (diskutohet nesër), derisa gjykimi të mbarojë.
Këtë vendim gjykata e pranoi dhe i dha kohë bashkisë dhe qeverisë që të sjellin prova dhe argumenta për këtë çështje gjatë ditës së nesërme’, tha Dervishaj. a.b











