Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë nëse vendos ta gjykojë shkarkimin e Presidentit Meta javën kur pritet të ndërtohet qeveria e re e Edi Ramës, në mes të shtatorit të këtij viti.
Gjykata Kushtetuese ka 3 muaj afat për të vendosur në lidhje me shyqrtimin, ndërsa nuk ka asnjë limit për kohën kur duhet të mbyllë gjykimin dhe të shprehet me vendim nëse akuzat e politizuara të Parlamentit, për gjoja shkelje të rënda të Kushtetutës nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo edhe për sytë e Kushtetueses.
Kuvendi miratoi me 9 qershor me 104 voto pro shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës, Ilir Meta. 7 deputetë votuan kundër, ndërsa 3 ligjvënës abstenuan. Në votim morën pjesë 114 deputetë, ndërsa 7 të tjerë nuk ishin të pranishëm. Meta është presidenti i parë i Republikës që shkarkohet nga detyra nga Kuvendi në historinë e shtetit shqiptar.
Kreu i shtetit e ka cilësuar si antikushtetues vendimin e parlamentit dhe ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë President deri më 22 korrik të vitit 2022, datë kur i mbaron mandati. a.b











