Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha kreu takime në Korçë, Maliq dhe Devoll.
PD është garancia për ta bërë realitet aspiratën e shqiptarëve për ndryshim. Kush mendon se ne dorëzohemi, nuk na njeh mirë, tha Basha gjatë takimeve me demokratët.
Korçë
Përgjegjësia që kemi marrë mbi supe kur kërkuam dhe primë betejën për ndryshim, është një mision të cilin nuk mund ta realizojë askush përveç nesh, përveç jush. E vërteta është që e vetmja forcë politike që mund ta vazhdojë këtë betejë deri aty ku e duan shqiptarët, deri aty ku e deshën më 25 prill dhe sot e duan edhe më shumë, edhe ata që kanë parë me sytë e tyre se çfarë po i kushton familjeve të tyre, komunitetit dhe mbarë Shqipërisë. Pengimi i dhunshëm i ndryshimit më 25 prill.
Forca jonë të dashur miq, vëllezër dhe motra, është vendi të them këtu në Korçën e qytetarisë, ka qëndruar gjithmonë qytetaria, tek vlerat jo tek anti-vlerat. Tek aleanca me njerëzit, me qytetarët, me shtresat e ndryshme që përfaqësojnë shoqërinë profesionale, të të gjitha llojeve, të të gjitha fushave dhe jo tek aleanca me krimin. Tek dalja para tyre me program, me ide , me zgjidhje dhe jo tek dalja para tyre me banda e me para për të blerë votën. Tek dalja para tyre me njerëz të ndershëm dhe jo me kriminel, me njerëz të dhunshëm. Kjo ka qenë rruga jonë, kjo ka qenë arsyeja pse shqiptarët na ndoqën, sepse në fund të fundit ju i bëtë të besonit se betejën nuk po e bënim për karrigen e kryeministrit, as për karriget tuaja, por po e bënim për ndryshimin që kërkonte dhe kërkon çdo shqiptarë.
Parakushti për fitoren e kësaj beteje. Parakushti për kthimin e demokracisë me të cilën këto zgjedhje s’kishin asnjë lidhje, mbetet pra, vazhdimi i kësaj qëndrese, vazhdimi i këtij bashkimi krah më krah me njëri-tjetrin. Ky është për mua dhe objektivi numër një i kësaj gare të brendshme e cila diktohet nga rregullat statusore. Kjo është kërkesa ime e parë që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, në fakt edhe më të bashkuar sesa hymë sepse përgjegjësia historike me të cila na kanë ngarkuar shqiptarët, fatet e vendit, fatet e këtij qyteti, të këtij qarku shkojnë përtej interesave dhe fateve të çdo individi. Këto zgjedhje apo kjo garë brenda partisë, është një moment pa diskutim i mirëpritur dhe që i fakton mbarë opinionit publik të kundërtën e asaj që thuhet që ne jemi një parti e hapur e bazuar në vlera, që ne jemi një parti e garës, jemi pra një parti e qytetarisë, një parti europiane. Dhe pa diskutim ajo që kjo garë dëshmon, është demokratët gjithmonë e kanë mirëpritur hapjen, provat janë edhe në këtë garë, ku shumë prej kandidatëve janë produkt i hapjes. Dhe hapi i parë në vazhdimin e kësaj beteje është 13 qershori, ku pjesëmarrja dhe prania në një proces demokratik të brendshëm do t’i tregoje jo thjesht demokratëve, jo thjesht anëtarëve të familjes tonë politike, simpatizantëve, ndjekësve, votuesve tanë, por gjithë Shqipërisë se ne jemi dhe mbetemi garancia për ta çuar betejën dhe aspiratën e tyre për ndryshim deri në fund.
Pogradec
Jo vetëm do jem përjetësisht mirënjohës, por do të luftoj deri në frymën time të fundit në çfarëdo pozite që çdo pikë djerse dhe sakrificë e çdo demokrati të Pogradecit dhe të gjithë Shqipërisë mos të shkoj dëm.
Megjithatë nxitimi dhe paqartësia që mund të sundoj në zemrën e dikujt, nuk mund të kthehet në arsye për të hedhur poshtë atë që kemi ndërtuar me sakrificë, me djersë, më vuajtje dhe me gjak, së bashku këto vite. Unë e dua Partinë Demokratike kështu siç e doni ju, të fortë e të pandarë e të bashkuar. Ndaj, dhe synimi kryesor i çdo demokrati është që nga kjo garë të dalim po kaq të bashkuar, madje edhe më të bashkuar sesa futemi në këtë garë. Vetëm kështu mund të vazhdojmë betejën tonë të luftojmë dhe të mundim armikun e Shqipërisë dhe shqiptarëve, regjimin dhe njeriun që kryeson këtë regjim Edi Ramën.
Maliqi
Një moment i cili është një moment reflektimi, i pari por jo i vetmi, moment vendimmarrje më 13 qershor, për mua më i rëndësishmi një moment ringritje, bashkimi dhe vazhdimi të betejës. Sepse pavarësisht gjithçka që ka ndodhur, dy gjëra janë të qarta si drita e diellit, regjimi bëri gjithçka për ta ndalur ndryshimin dhe në fund diferenca midis dy kampeve tona, është sa gjysma e votave të pavleftësuara nga një nga marifetet që përdori, heqja e emrave nga fletët e votimit. Dhe e dyta ne dolëm më të fortë, më të bashkuar nga kjo betejë. Ndaj, ftesa ime të dashur miq që e njihni fare mirë historinë 30 vjeçare të kësaj familjeje politike, që jeni dëshmitarë jo vetëm sa herë jemi rrezuar në betejë, por dhe sa herë jemi ngritur duke gjetur brenda vetes fuqinë e shpirtit dhe duke e projektuar atë tek çdo qytetarë, është e thjesht dhe e qartë: unë kërkoj që së bashku ta vazhdojmë këtë betejë deri në arritjen e stacionit final që është rrëzimi i këtij regjimi, sepse për mua ka vetëm një kundërshtar, një dhe vetëm një objektiv që duhet rrëzuar një orë e më për dhe ky është Edi Rama i cili qartësisht nuk do që ne ta vazhdojmë këtë betejë. Së bashku do ta çojmë atë deri në fund, por ky është një vendim të cilin nuk e merr dot ai, ky është një vendim që u takon ju. Nuk është një vendim i parëndësishëm. Hapi i parë pas betejës së 25 prillit, drejt betejës që na pret është 13 qershori. Për t’i treguar atij se demokratët janë në këmbë.
Devolli
Nuk mund të kemi dy vizione të ndryshim. Ose 25 prilli ishte fitorja e Edi Ramës ose 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Të dyja bashkë nuk qëndrojnë. Në qoftë se ishte një masakër zgjedhore e cila përkohësisht ndali ndryshimin të cilit i primë me betejën tonë, atëherë detyra jonë është të vazhdojmë betejën. Dhe detyra juaj e parë është të vendosni me votë drejtimin e vazhdimit të kësaj beteje. Kërkesa ime është të vazhdojmë këtë betejë së bashku për ta çuar deri në fund. Dua që nga kjo betejë të dalim të bashkuar, më të bashkuar seç hymë në këtë betejë.
E vetmja gjë që nuk mund të pranoj dhe që nuk do ta pranoj ndërkohë që investohej për këtë bashkim, duhet të investohem jo thjesht si kandidat, jo thjesht për formimin dhe kulturën se në nuk po njihemi sot dhe as këto 8 vite që kam drejtuar Partinë Demokratike falë besimit tuaj, kemi kohë që njihemi drejtpërdrejt dhe përmes medias dhe as vetëm me përgjegjësinë e kryetarit në detyrë që minimum që duhet të bëj është të garantoj që gara të ketë mbarëvajtje demokratike dhe të dalim të bashkuar. Por dhe për një arsye shumë më madhore e kërkoj. E kërkoj sepse askush nuk ka të drejtë për kurrfarë arsyeje te hedhë poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku deri më sot. Askush! As unë, as kandidatët e tjerë dhe askush. Qejfmbetur apo jo, me të drejtë apo jo, nuk mund të hedhë poshtë sakrificën e qindra, mijëra demokratëve të Devollit dhe të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë. Ne duhet të ndërtojmë mbi këtë sakrificë duke mësuar edhe nga ato gabime, duke ndrequr çfarë kemi në dorë të ndreqim, por jo duke rrëzuar atë që kemi ngritur vetëm me fuqinë e shpirtit tonë. Në qoftë se e ruajmë vetëdijen për këtë që kemi arritur dhe pse e kemi arritur që ua thashë që në fillim se e kemi arritur se shqiptarët u bindën që po e bëjmë këtë betejë për ta, sepse devollinjtë u bindën që kjo betejë po bëhej për ta dhe familjet e tyre. Atëherë në qoftë se e ruajmë këtë vetëdije, jam i bindur që do të dimë ta ruajmë. Në qoftë se jemi të gatshëm të ndreqim gabimet dhe gjërat brenda nesh që i kemi në dorë t’i ndreqim, nëse nga kjo garë dalim të bashkuar që është dhe duhet të mbetet qëllim në vetvete i çdo demokrati të vërtetë që vendos interes të kësaj partie si instrument i vetëm i ndryshimit dhe i shpresës për Shqipërinë, pra dhe interesat e Shqipërisë të parat atëherë ju garantoj që i kemi akoma në dorë të gjitha mjetet që i ngritën peshë shqiptarët për ndryshim, i kemi në dorë akoma të gjitha mjetet për ta rrëzuar një orë e më parë këtë regjim. e.k











