Ish kreu i PD Kukës, Ibsen Elezi aplikoi sot për zgjedhjet e kreut të ri të Partisë Demokratike.
Elezi kërkoi nga strukturat e PD-së për mbajtjen e një procesi të rregullt zgjedhor.
“Ekzaktësisht kam thënë se nëse do të shihja një kandidat tipik të djathtë me ide konservatore unë do ta ndiqja. Duke qenë se nuk e pashë vendosa të kandidojë vetë. Ky nuk është vendim vetëm i imi personal por edhe i grupit. Çdo individë ka të drejtën të kandidojë në demokraci.
Një nga parimet themelore të demokracisë buron nga vota e lirë, ndaj unë i them të gjithë anëtarëve dhe strukturave të Partisë Demokratike të respektojnë votën e lirë.
Transparenca dhe shanset e barabarta janë parimet bazë të statusit të Partisë Demokratike”, deklaroi Elezi.
Deri tani kandidaturat e dorëzuara për kreun e PD-së janë: Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi, Ibsen Elezi dhe së fundmi Agron Shehaj.
Ditën e dielë në orën 18:00 pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë, ku pritet të vendoset mbi kandidatët dhe modalitetet e garës për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së. a.b











