Mësuesi Pjetër Prenga e refuzoi vaksinën anti-Covid, me argumentin se “AstraZeneca”, me të cilën po vaksinohen arsimtarët, është refuzuar në disa vende të botës, pasi solli probleme shëndetësore te të vaksinuarit, raporton Panorama në një raport të gjatë për vaksinimin me astrazeneca.
“Na kanë njoftuar për t’u vaksinuar të hënën, por unë nuk kam pranuar. Duke qenë se vaksina ‘AstraZeneca’, me të cilën po vaksinohen arsimtaret, është refuzuar në disa vende të botës, kjo më ka sjellë një lloj pasigurie. Pa dalë në deklaratë zyrtare autoritetet shëndetësore, unë nuk e kam ndërmend të vaksinohem. Me duket diçka mjaft e frikshme që të luaj me jetën time”, thotë mësuesi, që njëherësh është edhe kryetar i Sindikatës së Arsimit në Lezhë”.
Të njëjtin vendim si Prenga morën edhe të tjerë mësues të qytetit verior. Ndërsa kishte edhe nga ata, që midis frikës nga virusi dhe pasigurisë mbi vaksinën, e harruan fare këtë të dytën dhe iu nënshtruan pa bërë zë procesit.
“Unë kam vendosur që të vaksinohem, ndonëse kam pikëpyetjet e mia mbi vaksinën që po na injektojnë. Kemi lexuar në media që ka sjellë probleme shëndetësore për ata që janë vaksinuar në disa vende dhe referuar këtij fakti, jam skeptik. Pavarësisht se mendoj se autoritetet shëndetësore nuk duan të na bëjnë kurban ne mësuesve dhe e kanë testuar më parë”, shprehet një mësues që nuk dëshiron të identifikohet, por nuk harron të ftojë kolegët e tij të veprojnë njëjtë.











