Fatmir Sulaj
Pas afro dy muaj nga humbja tragjike e jetës së Fatmir Sulajt nga Miloti në burgun e Shënkollit, familjarët rrëfejnë makthin e tyre nga kjo humbje në rrethana misterioze.
Nuredini, babi i viktimës tregon për ecejaket e tij në dyert e prokurorisë në Lezhë si dhe të burgut në Shënkoll, por pa marrë një përgjigje konkrete.
“Djalin nuk e kishim menduar se do ma sillnin të vdekur autoritetet e burgut, ata të cilët më kërkuan të asistonin në ceremoninë e varrimit, pa dhënë ndonjë detaj nga humbja e jetës. Ndonëse mosha dhe sëmundja më kanë rënduar, një tjetër stërmundim janë duke e shtuar në familjen time dhe moskokçarja nga autoritetet e drejtësisë për atë çka i ndodhi tim biri në burgun Shënkoll”.
Fatmir Sulaj humbi jetën në qelitë e këtij burgu me 30 korrik të këtij viti, ndërsa nga autoritetet e burgut janë dhënë disa versione pas ngjarjes. Drejtuesit deklaruan si një mundësi e humbjes së të riut nga Miloti ishte ajo e djegies me anë të një bombule gatimi, e hedhur nga një tjetër i burgosur nga dritarja e qelisë pranë, si rezultat i konfliktit ndërmjet grupeve. Ndërsa versioni tjetër nga pakujdesia gjatë gatimit, dhoma e të burgosurve është përfshirë nga flakët, dhe i riu duket se është asfiksuar, por familjarët nuk i binden asnjërit nga ajo çka është thënë nga drejtuesit e burgut. Sipas tyre viktima nuk ka pasur shenja djegie, ndaj ata kërkojnë zbardhjen e çështjes për t’u qetësuar nga kjo brengë.
Nuredin babi i viktimës Fatmir Sulaj ka bërë apel autoriteteve të Drejtësisë të zbardhin çështjen e humbjes së djalit të tyre në burgun e Shënkollit afro dy muaj më parë. /AhmetZani/

Nuredin Sulaj












