Familjarët e 16-vjeçarit M. Sula, i cili plagosi me thikë 15-vjeçarin K. Suti, ditën e djeshme janë ballafaquar me babain e këtij të fundit. Mesditën e djeshme, dy djem të rinj iu prezantuan babait të K. se kishin shkuar posaçërisht për ta takuar atë si dhe për t’u interesuar për shëndetin e djalit.
“Jemi familjarë të M.”,– i thanë dy djem të rinj babait të 15-vjeçarit, ndërsa i druheshin përgjigjes që do të merrnin.
“Kemi ardhur t’ju takojmë dhe të pyesim edhe për gjendjen e djalit tuaj. Ju kërkojmë ndjesë për gjithë këtë që ndodhi. Nëse do të kishim dijeni, pa diskutim që do ta kishim parandaluar diçka të tillë”,– thanë dy djemtë.
Ndërsa, babai i të plagosurit, edhe pse dukej tepër i shqetësuar për gjendjen e të birit, është treguar tepër i mikpritur me ta.
“Nuk kanë faj prindërit në këtë rast. E sidomos kur nuk dinë gjë se dy fëmijë grinden”,– ka thënë ai. E teksa dy të afërmit e autorit po largoheshin nga ambientet e Spitalit Ushtarak, ku 15-vjeçari qëndron i shtruar, i thanë babait të tij se e ndjejnë detyrim ndihmesën ndaj tyre.
“Kjo që ju ndodhi juve mund të na kishte ndodhur edhe neve. Na vjen me të vërtetë shumë keq dhe nuk kemi fjalë të themi. E ndjejmë detyrim t’ju ndihmojmë. Kemi ardhur edhe dje (pardje) për t’ju takuar dhe për t’u interesuar për djalin. Ju e keni numrin tonë të telefonit dhe mund të na telefononi në çdo kohë. Do t’ju gjendemi pranë si në spital ashtu edhe në shtëpi”,– kanë pohuar ata më tej, shkruan “Gazeta Shqiptare”.











