Kryeministri shqiptar Edi Rama ka vizituar redaksinë e gazetës gjermane, Hamburger Abendblatt, në Hamburg, ku flet mbi synimet në Shqipëri, paragjykimet dhe refugjatët. Gazeta ka publikuar një artikull mbi këtë vizitë të Ramës dhe bashkëbisedimin e zhvilluar me Kryeministrin në redaksi.
“
Ky funksion i ka zbardhur flokët e mi“, thotë Edi Rama, Kryeministëri i 12-të i Shqipërisë, i cili e mori detyrën në vitin 2013, shkruan gazeta.
“
Por ai më ka mësuar ta kuptoj më mirë vendin tim. Shpresoj vetëm që të mos zhgënjej njerëzit. Të gabosh është pjesë e një funksioni të tillë; megjithatë varet nëse këto gabime bëhen qëllimisht apo gabimisht. Unë shpresoj që gabimet e mia t’i përkasin kategorisë së fundit“, ka thënë Rama.
Të hënën, Rama ishte në Hamburg ku zhvilloi turin e zakonshëm për një të ftuar të nivelit të lartë dhe më pas vizitoi Hamburger Abendsblatt.
“Askush nuk dëshiron të vijë në Shqipëri, por kushdo që ka qenë një herë atje, dëshiron të kthehet përsëri“, tha Edi Rama.
Shqipëria thotë Rama, në parim ka kaluar nëpër të njëjtin proces të tranzicionit nga një ekonomi socialiste e planifikuar, në ekonominë e tregut, sikundër e ka përjetuar Gjermania Lindore dhe ish vendet e bllokut Lindor. Por me një ndryshim të madh: “
Shqipëria ishte një vend tërësisht i izoluar – si nga perëndimi ashtu dhe nga lindja. Ne duhej të stërmundoheshim për të mbijetuar në këtë izolim total dhe për të vendosur kontakte me Lindjen dhe Perëndimin. Në këto kushte, 25 vitet e fundit në çdo aspekt konsiderohen si mbresëlënëse. E thënë përmbledhur: ndryshime të mëdha, sfida të mëdha, probleme të mëdha”.












