Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të shtyjë sërish datën e nisjes së punes për gjykatat dhe shërbimet e tjera gjyqësore për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Të marten, KLGJ njoftoi se pezullimi i veprimtarisë së gjykatave do të qëndrojë në fuqi deri më 22 prill 2020.
KLGJ u kërkon gjyqtarëve të caktuar për shqyrtimin e çështjeve individuale që, gjatë përcaktimit të çështjeve që do të kategorizohen si “të ngutshme” apo “urgjente”, të garantojnë mbrojtjen, sigurinë dhe aksesin në drejtësi si prioritare.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor i lutet publikut dhe përdoruesve të tjerë të gjykatave të mos paraqiten pranë gjykatave, përveç rasteve kur orientohen të bëjnë një gjë të tillë nga një punonjës i gjykatës dhe për një çështje specifike,” këshillon KLGJ.











