Policia financiare italiane ka ekzekutuar një mega operacion që ka çuar në sekuestrimin e 385 kg kokainë të cilësisë mjaft të pastër në portin Gioia Tauro të Rexhio Kalabrias. Kokaina transportohej me një anije kontaineri që vinte nga Brazili.
Kokaina ishte e konfeksionuar në 17 çanta të mëdha me material izolues e të lidhura me toptha lundrues, të cilat i mbanin zhytur nën ujë në distancë 16 milje nga porti i Gioia Tauro. Me këtë mënyrë trafikantët synonin t’i shpëtonin kontrollit doganor e të rikuperonin kokainën në një moment të dytë.
Policia financiare italiane ka arrestuar 9 pjesëtar të personelit të anijes , të gjithë me origjinë nga shteti Kiribate në Oqeani si dhe ka nisur hetimet për të zbuluar destinacionin final të kokainës.
Sipas Financës Italiane kokaina e sekuestruar është e cilësisë mjaft të pastër e me një vlerë tregu 77 milionë euro.












