Një tjetër reagim thumbues ka ardhur nga zëdhënësi i Presidentit, i cili në qendër të deklaratës së tij këtë herë ka vënë Taulant Ballën.
Pas rrëzimit të Kuvendit të kandidaturës për kreun e KLSH, Blushi shkruan:
“Tao Tao ka të drejtë që kandidaturat e propozuara nga Presidenti Meta për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të papërshtatshme, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash.
Po kështu asnjë prej tyre nuk e ka marrë diplomën e shkollës së lartë, pa bërë fare të mesmen.
Presidenti Meta është i paaftë të propozojë kandidatë me rekorde kaq pozitive që do garantonin hapjen e negociatave në 18 tetor 2019 me ovacione nga të gjitha vendet anëtare”.
Gjatë seancës së sotme, Parlamenti votoi kundër kandidaturës së Petraq Milos për kryetar të KLSH-së. Kujtojmë se presidenti Ilir Meta i propozoi parlamentit kandidaturën e zotit Petraq Milo, për postin e drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kjo është kandidatura e tretë e paraqitur nga presidenti Meta, pas refuzimit nga ana e shumicës së majtë të dy emrave të mëparshëm.












