Në të gjitha debatet e politikës së brendshme, kryeministri ynë, përdor për kundërargument kryesor dhe të papërgënjeshtrueshëm, vlerësimet ndërkombëtare për qeverisjen e tij. Dhe ç’është e vërteta “përkëdheljet ndërkombëtare”, për Ramën dhe qeverinë e qeverisjen e tij, kanë qenë realisht shumë zemërgjera.
Tani realiteti është tjetër. Krichbaum ishte ashpër dhe me një analizë të vërtetë dhe kjo nuk është për tu gëzuar, sa për qeverinë dhe as për opozitën, sepse në fund të fundit, kjo dreq klase politike, që lëviz gjithkund me pesë yje dhe ushqehet e trajtohet me ajkën e Shqipërisë, duhet ti kthejë Shqipërisë të paktën 20% të borxhit të saj të stërmadh që ka.
Tani e tutje, fjalimet mëndjemëdha të kryeministrit, që citon lodhshëm ndërkombëtarët, si dëshmimtarë të së vërtetës së “sukseseve” të tija,mbyllen këtu.
Krichbaum, është gjerman dhe jo një gjerman dosido. Dhe një gjerman i rëndëisishëm i CDU-së së kancelares Merkel, nuk gënjen sepse është “mik” i liderit të opozitës dhe as sepse është në konkurencë me Merkelin dhe kërkon të godasë “të përkëdhelurit” e saj ballkanas, Rama, Vuçiç e të tjerë.
Në të 7 pikat e tij, ai ka rrëfyer një korrektesë dhe saktësi të admirueshme, që nuk është aspak për tu gëzuar, sikur edhe e thashë më lart.
“Pika Kyçe” e akuzës së tij, lidhet korrupsionin dhe drogën. Dhe me luftën e pamjaftueshme apo krejt të dështuar ndaj këtyre dy viruseve antisociale që gërryejnë vendin tonë deri në kockë.
Sepse korrupsioni dhe trafiku i drogës në Shqipëri, nuk është as një pucër, as një ciban apo një plagë gjymtyrësh të trupit qeverisës të sotëm apo të djeshëm shqiptar. Por një e keqe e rrënjosur thellë në Zemër të Sistemit tonë Politik, një shtysë parësore e individëve që merren dhe vazhdojnë të merren me politikë në Shqipëri. Madje dhe adrenalina e egoizmit të karierës, vjen te politikanët shqiptarë e treta apo e katërta, kurse Paraja, vjen gjithmonë e para!
Syrit të vëzhgimit dhe të analizës së “gjermanit”, nuk i ka shpëtuar, as edhe dekriminalizimi i munguar dhe ky Parlament, që popullohet nga ish kriminelë, killera dhe të paudhë të tjerë, që dinë të grabisin votat në fshatrat, katundet apo periferitë e Shqipërisë. Dhe Rama, ka dalë vetë bllof disa herë, duke mbrojtur ndershmërinë e tyre të rreme, ndonëse nuk është i pari dhe i vetmi që e ka bërë këtë.
Por është sigurisht i pari, në listën e politikanëve të përkëdhelur shqiptarë, nga eksponentët më të lartë ndërkombëtarë. Padyshim kjo falë aftësive të tija të pamohueshme komunikative, kulturore dhe plot fantazi.
Por herët a vonë, kuptohet, si edhe u kuptua nga Krichbaum dhe Ambasada Gjermane që con përpikmërisht relacionet e saja, se pamvarsisht talentit të kryeministrit, për të qenë interesant në bisedat kokë më kokë dhe sy më sy, ai, mjerisht është zbuluar si një avokat shumë i mirë i të Keqes, që ka rekrutuar në ushtrinë e tij të pushtetmbajtjes.
Dhe këtu trajektorja e besueshmërisë ka pësuar një rënie dhe një kthesë të fortë. Sepse tanimë, optika në të cilën vlerësohen aftësitë e tija komunikative, është tjetër.
Nëse deri dje, e kanë parë si një shpresë të hirshme dhe interesante, për një vend ballkanik, me legjenda te frikshme egërsie apo injorance të thellë, sot nën “efektin Krichbaum”, Rama duket gjithmonë e më shumë, si një Avokat i zoti, i një Kaste moralisht të papastër që e ka zgjedhur si një nënpunës dhe si një kryemenxher të aferave të saja.
Sa keq për ne dhe për kryeministrin në rënie të lirë të krediteve të tija!











