Ministri i Brendshëm ka shpenzuar disa miliona lekë për të dërguar letra të personalizuara për cdo polici të Shqipërisë.
Përvec se i drejtohet policit, Tahiri shënon në krye të letrës edhe familjarët e secilit prej uniformave blu.
Ndër të tjera ministri Tahiri sulmon qeverinë e mëparshme se e katandisi policinë sipas tij si mos më keq.
“Situata e 3 viteve me parë nuk linte asnjë vend për optimizëm. Punonjësi i policisë ishte jo vetëm i keqtrajtuar financiarisht e profesionalisht, por edhe i tradhtuar në çdo shkallë të hirearkisë shtetërore. Të punoje në polici ishte hall i madh, duke filluar me uniformën dhe mjetet, te trajtimi dhe paga e deri te çorganizmi strukturor ku nuk kishte asnjë vend për meritën. Shumë punonjës policie e kishin bënë në pikëpyetje vlerën e uniformës dhe jo pak të tjerë ishin kthyer në abuzues përsëritës të saj”.
Ndërsa në vijim thotë se policia ka pësuar rritje rrogash për një shumë të madhe parash në dy vitet e fundit.
“Pikërisht për atë që kemi bërë dhe duhet të bëjmë më tutje, kryeministri ka mbështetur kërkesën tonë për një tjetër rritje të pagave duke bërë të mundur që nga 1 marsi 2017 pagat e punonjësve të policisë të kapin një nivel të kënaqshëm dhe në shkallë rajoni. Rritja e pagave në 2014-ën, një rritje ekskluzive vetëm për policinë e shtetit në momentin kur qeveria përballej me krizën e trashëguar financiare, dhe kjo rritje e dytë në 3 vjet përbëjnë shenjën më kuptimplotë të mbështetjes financiare nga qeveria në historinë e policisë së shtetit”.
Paga e efektivit të policisë në nivelin bazë në vitin 2013 ishte 45600 lekë. Në Janar 2014 u rrit me 25% duke shkuar në 57100 lekë. Me rritjen e re, në mars të vitit 2017, paga e nivelit bazë për punonjësit e policisë shkon në rreth 69 mijë lekë të reja.












