Presidenca ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres së Arsimit, Besa Shahini, e cila akuzoi kreun e shtetit se me kthimin në detyrë të rektorit të Universitetit Mynyr Koni legjitimoi shkeljet e tij.
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, në një deklaratë të shpërndarë për mediat thotë se “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta në dekretin e tij për rrëzimin e propozimit për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, z.Mynyr Koni ka folur me argumenta ligjorë më gjatë se kurdoherë tjetër”.
Ministria e Arsimit, vijon Blushi, duhet të mbajë përgjegjësinë e saj të plotë për zbatimin e Reformës në Arsimin e Lartë dhe nëse nuk është dakord me argumentat ligjorë të bëra publike nga Presidenti, të ndjekë procedurën që dikton ligji, përtej retorikave boshe.
“Institucionet e Arsimit të Lartë janë autonome dhe askush nuk duhet të guxojë të prekë pavarësinë e tyre” përfundon reagimin e tij zëdhënësi i Presidentit.











