Pavarësisht se 24 orët e fundit qeveria ka tentuar që ta orientojë grabitjen në Rinas si një gabim ekskluziv të kompanisë që ruante territorin e aeroportit, zv.Ministri i Brendshëm ka dalë nga “rreshti”.
Në një intervistë për Top Talk, Besfort Lamallari e ka pranuar se grabitja në Rinas ishte një “cënim i sigurisë kombëtare”.
“U cënua siguria kombëtare, u cënua siguria në një nyje nevralgjike të vendit tonë, siç është aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri. Duhet të kuptojmë pse ndodhi kjo”, deklaroi Lamallari.
Por kujtojmë se në reagimet zyrtare të qeverisë, theksi është vënë tek mospasja e një rasti të cënimit të sigurisë kombëtare, një element që medoemos do të përfshinte në përgjegjësi serioze dhe policinë e strukturat shtetërore.











