Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar në lidhje me rastet e fundit të krimit në familje të ndodhura në Korçë dhe Fier.
Për ironi, apo rastësi, ministri Tahiri ka apeluar sot se “duhet të dekurajojmë dhunën. Ajo promovohet edhe nga politikanët. Nuk ndodh rrallë që dhe në parlament të dëgjosh retorik dhune…”.
Këtë deklaratë Tahiri, e ka bërë në zonën elektorale, Armando Prengës, një deputeti socialist, protagonist, jo vetëm dhune fizike, por edhe përdorim arme ndaj qytetarëve.
Nga vendlindja e Armando Prengës, Saimir Tahiri i ka kërkuar të gjithë shoqërisë që të jetë më te vëmendshme ndaj këtij fenomeni shumë shqetësues.
“Dhuna ne familje është problem madhor. Ngjarjet e fundit janë tronditësi për mua si prind dhe për të gjithë prindërit, si familjar, qytetar por edhe për detyrën që mbaj.
Na duhet të kemi individ dhe komunitet që të raportojnë menjëherë dhunën”, tha minisitri Tahiri
Duke ju referuar rasteve të dhunës si asaj verbale por edhe fizike në parlament, ministri Tahiri kërkoi politikës të promovojë te qytetarët respektimin e ligjit dhe refuzimin e dhunën.
“Duhet të dekurajojmë dhunën. Ajo promovohet edhe nga politikanët. Nuk ndodh rrallë që dhe në parlament të dëgjosh retorik dhune dhe të dëgjosh cilësime si ndrikulla dhe lavira ndaj grave deputete apo të shikosh episode dhune. Ky është sinjali më i keq për qytetaret.
Politika te lërë dënglat dhe ti japim mesazhin qytetarëve që pa dhunë mund të zgjidhim shumë më shumë”, theksoi ndër të tjera ministrit Tahiri.
Këto deklarata ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i bëri gjatë inaugurimit të ambjenteve të reja në Komisariatin e Policisë së Laçit.











