Rreth 30 kilogramë heroinë janë sekuestruar nga policia në portin e Durrësit ndërsa në pranga ka rënë një person. Ai është Aurel Kryemadhi 45 vjeç, banues në Elbasan.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se gjatë ditës së enjte, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në kamionin “Skania”, me targa AA 618 JR dhe rimorkio ADR 186, që drejtohej nga i arrestuari Kryemadhi, shërbimet e Policisë dyshuan se në brendësi të mjetit mund të kishte lëndë narkotike.
Për këtë arsye, efektivët e shoqëruan kamionin për tek skaneri, ku rezultoi se në tavanin e karrocerisë kishte disa pako. Pas kontrollit të imtësishëm, në kamion u gjetën plot 52 pako heroinë, me peshë rreth 30 kilogramë.











