Policia e Shtetit mund të përdoret edhe në mënyrë private sipas një projektvendimi që po përgatit Këshilli i Ministrave.
Vendimi është ende në fazën e konsultimit mes institucioneve ndërsa është emëruar si vendimi për “Për miratimin e llojeve të shërbimeve shtesë që ofron Policia e Shtetit, për personat juridikë e për ata fizikë, publikë ose privatë, dhe tarifave të pagesës për këto shërbime”.
Në vendim radhiten një listë me shërbimet shtesë që do të kryejë Policia e Shtetit mbi kohën normale të punës, sipas gazetës Panorama.
Mes këtyre shërbimeve janë edhe sigurimi i aktiviteteve kulturore e sportive, kombëtare e ndërkombëtare, apo edhe sigurimi i transportit të vlerave monetare të bankave të nivelit të dytë në vend.
Shërbimet shtesë me pagesë nga strukturat e Policisë së Shtetit do të ofrohen bazuar në kërkesën e personave juridikë e fizikë, publikë ose privatë dhe do të mbulohen me punonjës policie jashtë kohës normale të punës/shërbimit.
Projektvendimi ka përcaktuar edhe pagesat për orët shtesë sipas gardës së punonjësve të policisë.
Sipas tabelës që shoqëron projektaktin, grada “Inspektor” do të paguhet 597,24 lekë për orë, grada “Nënkomisar” 766.31 lekë për orë, grada “Komisar” 834.32 lekë për orë dhe grada “Kryekomisar” 1060 lekë për orë.
Të ardhurat që realizohen nga kryerja e shërbimeve shtesë të përcaktuara në këtë vendim, përdoren në masën 90 për qind nga Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si të ardhura jashtë limitit, me qëllim përdorimin e tyre për të përballuar pagesat e mbikohës së punës për punonjësit, që do të angazhohen në detyra mbështetëse, sipas akt-marrëveshjes dhe 10 për qind derdhen në Buxhetin e Shtetit.











