Një sasi e madhe droge është kapur në Dibër, në tentativë për tu dërguar në Maqedoni me kalë.
Policia Kufitare në Bllatë, në afërsi të Piramidës E-14/ 3 e cila kufizohet me fshatin Kllobçisht të Njësisë Administrative Maqellarë, rrethi Dibër dhe me fshatin Banjisht, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni gjatë patrullimit në vijën e gjelbër kanë konstatuar një person me një kafshë dore të ngarkuar me çanta të dyshuara me lëndë narkotike që po lëvizte në drejtim të kufirit maqedonas.
Menjëherë janë vënë në ndjekje të tij si dhe kanë njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ku në ndihme të tyre kanë shkuar Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve.
Personi që transportonte lëndën narkotike porsa ka konstatuar që po e ndiqte policia ka braktisur kafshën e dorës dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Policia ka kapur 1 kalë të ngarkuar me 7 thasë, 5 çanta plasmasi dhe 2 qese plasmasi të zeza të mbushura me lëndë të dyshuar e llojit kanabis sativa, me peshë 122 (njëqind e njëzet e dy) kg.
Pas hetimeve në bashkëpunim me Policinë Kufitare bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit S. I., si autor i dyshuar për transportin e lëndës narkotike.
Në përfundim të veprime të para hetimore, materialet në ngarkim të shtetasit S. I, me banim në një fshat të Njësisë Administrative Maqellarë, rrethi Dibër i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale “Trafikim i Narkotikëve”.











