Është ndërprerë në mes mandati i Shefit të Misionit të Bashkimit Europian “EURALIUS”, Rainer Deville.
Në mbledhjen e sotme të këtij misioni është vendosur që në vend të tij të komandohet Zëvendësshefja e Misionit, austriakja Agnez Gergard.
Largimi i Devill vjen pas akuzave të opozitës për përkthimin e qëllimshëm gabim të Ligjit të Vetting -ut, të dorëzuar në Komisionin e Venecias.
Sipas opozitës, kjo u bë për të ndikuar në opinionin e Komisionit të Venecias.
Riner Deville cilësohej nën zë nga opozita si një burokrat i BE-së që ka mbështetur synimet e kryeministrit Rama për reformën në drejtësi. Këtë javë Gjykata Kushtetuese dërgoi për të dytën herë në Venecia një version të përkthyer me korrektime të ligjit për Vetingun. Versioni i parë i ligjit për Vetingun, u gjet me gabime në përkthim, versioni i parë ishte marrë nga publikimet zyrtare të misionit EURALIUS.
Pas akuzave të opozitës, shefi i EURALIUS në Tiranë Rainer Deville, është larguar me urgjencë nga Shqipëria.
Atëherë mediat raportuan për një shkarkim të Deville nga detyra që mban. Por burimet e EURALIUS e mohuan, duke e justifikuar largimin e shefit të tyre, në Tiranë, me Marrjen e pushimeve” prej tij.
Duket se është konfirmuar se me shkarkimin, EURALIUS i ka dhënë “pushime pa afat” Rainer Deville, i cili e mbaronte zyrtarisht mandatin e tij si Shef i këtij misioni në Tiranë, në gusht të vitit 2017.
Misioni EURALIUS është një entitet i Bashkimit Evropian i cili ndihmon Shqipërinë në jurisprudencë, për reformat ligjore dhe kushtetuese.
Rainer Deville dhe misioni që ai drejtonte ka pasur rol të dorës së parë në procesin e reformës në drejtësi. Ai u bë edhe më herët objekt debatesh kur u citua në media duke thënë se reforma në drejtësi do të sillte si rezultat largimin e 400 prokurorëve dhe 400 gjyqtarëve. I gjendur ngushtë nga buja e deklaratës së tij, më vonë ai tha se fjalët e tij ishin keqkuptuar.











