Një 25-vjeçare shqiptare nënë e një fëmije është arrestuar nga policia italiane në Peruxhia, pasi iu gjetën në çantë rreth 4 kg lëndë narkotike kokainë.
E reja ishte duke shëtitur me djalin e saj, kur pas një aksioni të policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e saj, iu gjet sasia e lëndës narkotike.
Policia italiane dyshon se vajza ishte në rolin e korrieres dhe përdorte “shëtitjet” me djalin për të transportuar lëndën narkotike.
25-vjeçarja me inicialet A. G., kishte me vete edhe një shumë të hollash prej 3 400 euro. Ndërkaq, ajo nuk rezulton e punësuar, ndaj hetuesit dyshojnë se edhe këto të ardhura janë burim i trafikut të drogës. Gjykata ka vendosur “arrest shtëpie” për 25-vjeçaren për shkak se jeton e vetme dhe nuk ka kush të kujdeset për fëmijën e mitur.











