Votuesit francezë do të zgjedhin sot Presidentin e ri pas një fushate të ashpër elektorale e cila ka përçarë vendin.
Qendrat e Votimit janë hapur në orën 08:00 sipas orës lokale dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Vendet e votimit do të mbeten të hapura në disa qytete të mëdha deri në ora 20:00 sipas orës lokale.
Në garë janë centristi Emmanuel Macron, një ish-bankier investimesh 39 vjeçar, kundër nacionalistes së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, 48 vjeç.
Sondazhet tregojnë se ish-ministri i ekonomisë ka një avantazh prej 20 pikësh ndaj kundërshtares së tij, Marine Le Pen.
Teksa përfundimi i raundit të dytë të së dielës do të jetë i qartë në mbrëmje, rezultati final do të shpallet zyrtarisht nga Këshilli Kushtetues i Francës, të enjten e 11 majit.











