Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar se ka rikthyer transmetimin analog në qarkun e Tiranës dhe në qarkun e Durrësit.
Sinjali analog do të fiket më datë 15 janar 2019, pra procesi është shtyrë me 4 muaj.
Sipas AMA-s, ky vendim është marrë për t’i dhënë kohë qytetarëve që të pajisjen me dekoderin e nevojshëm për të ndjekur transmetimet digjitale të televizioneve shqiptare.
“Ne mendojmë që gjëja më e mirë është të shtyhet ky proces. Nuk ka të humbur nga ky proces: Qytetarët që kanë blerë dekoderët mund të shikojnë më shumë kanale dhe qytetarët që nuk i kanë blerë, do kenë më shumë kohë për të blerë dekoderat” ka thënë Gentian Sala, kreu i AMA-s.
Ndërkohë Edi Rama në një reagim të tij është shprehur se nuk mund të fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses në sistemin e ri.
Kujtojmë që shumë nga qytetarët nuk e pritën mirë fikjen e transmetimeve analoge dhe nuk i kanë kursyer akuzat ndaj kryeministrit shqiptar.












