Një gafë e cila po bëhet virale në rrjetet sociale ka ndodhur në Maqedoni gjatë vizitës zyrtare të kancelarit të Austrisë.
Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz ishte sot për një vizitë zyrtare në Shkup të Maqedonisë dhe mesa duket një detaj kaq i rëndësishëm nuk kishte si të mos u shpëtonte syrit të gazetarëve.
Autoritetet dhe Protokolli kanë ngatërruar flamurin e Austrisë me ato të Letonisë në ceremoninë e pritjes që kryeministri Zoran Zaev kishte organizuar për homologun austriak.
Qeveria maqedonase ka reaguar publikisht për ngjarjen dhe i ka kërkuar falje Vienës për këtë ngatërrese të paqëllimshme.
Ja çfarë thuhet në reagim:
“Qeveria e Maqedonisë i kërkon falje Republikës së Austrisë për lëshimin e paqëllimshëm protokollar gjatë vizitës së kancelarit Sebastian Kurz në Republikën e Maqedonisë. Lëshimi është bërë nga shërbimi për protokoll në Republikën e Maqedonisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ndërkaq deri tek ajo ka ardhur për shkak të ngjashmërisë së madhe në dimensionet dhe ngjyrat e Austrisë dhe Letonisë”.












