Një grindje, midis dy vëllezërve adoleshentë dhe një të riu tjetër, ka përfunduar me plagosjen me thikë, të një 23-vjeçari.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë Vendore, të Durrësit, mësohet se rreth orës 10:00 të ditës së sotme, në Shenavlash, te tregu i makinave dy shtetas, për motive të dobëta kanë goditur me një mjet prerës (thikë) shtetasin B. L., 23 vjeç, banues në Sallmone Shijak.
I dëmtuari ndodhet më Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Durrësit me të marrë njoftim ka shkuar menjëherë në vendngjarje duke këqyrur vendin e ngjarjes, mbledhjen e provave materiale, pyetjen e dëshmitarëve me qëllim zbulimin e autorëve.
Efektivet e Policisë, në sajë të angazhimit maksimal dhe veprimeve të shpejta operacionale, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit E. C., 17 vjeç dhe A. C., 15 vjeç, banues në Durrës.
Autorët e dyshuar janë vëllezër me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe mjeti i kryerjes së veprës penale, thika.
Policia vijon hetimet.











