Opozita e Bashkuar e udhëhequr nga PD-ja, ka dalë në një qëndrim se zgjedhjet janë në rrezik si pasojë e krimit, shitje-blerjes së votës, si pasojë e varfërisë, si pasojë e kthimit të vendit në një parajsë të narko-trafikut.
Deklaratën e ka bërë kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili pas takimit me partitë opozitare në Parlament, ka bërë të ditur se “kohë nuk ka më dhe kjo është çështja më e rëndësishme e tanishme”.
“Kemi mbajtur një takim të opozitës parlamentare – tha Basha, – pas një koordinimi paraprak të opozitës parlamentare dhe partiake dhe kemi rastin të konfirmojmë qëndrimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Qëndrimi i unifikuar i opozitës, i opozitës parlamentare është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët – por qytetarët. Nuk mund të vendosë varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shitblerjes së votave – por drejtësia.
Zgjedhjet janë në rrezik. Janë për shkak të korrupsionit, moszbatimit të ligjit të dekriminalizmit, kthimit të Shqipërisë në parajsë të narkotrafikut, mosgarantimit të votës së qytetarëve.











