Lefter Sulkaj, ish-administrator i një spitali privat në Tiranë u arrestua nga Policia. Ai ishte shpallur person në kërkim për mashtrim të dhjetëra personave dhe 4 bankave të nivelit të dytë dhe ishte dënuar me burg. Sulkaj u merrte shuma të mëdha parash dhe premtonte se do t’i bënte aksionerë në biznesin e tij.
Policia e Tiranës njoftoi se “nga specialistët për hetimin e krimit ekonomik dhe financiar u ndalua shtetasi në kërkim Lefter Sulkaj, 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, për veprën penale ‘Mashtrimi’, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal”.












