Herë pas here, re trazuese me spikamë fetare shfaqen mbi qiellin e Shkodrës e jo vetëm! Aty ku dështon shteti laik, pikërisht në atë golle të ndërmjetme, lulëzojnë mujsharitë me ndezje religjioze, siç është rasti më i fundit “i përballjes” për “Kishën-Xhami” në Kështjellën e Rozafatit nga leximi i kundërt i së njëjtës histori. Dobësia e institucioneve dhe qyqaria e reagimit ka krijuar një brazdë për ekstremizëm. Dihet se deri në vitin 1479, mot kur Shkodra bie nën sundimin otoman, ajo njihej si Katedralja e Shën Stefanit, kudo e përmendur në libra dhe kronika. Pas betejës së famshme ajo u bë xhami nën emrin e Sulltan Mehmetit. Si e tillë haset gjithandej në shkrime dokumentare. Gjatë viteve të diktaturës, kalaja u shpall monument kulture. Fatmirësisht, pas vitit 1967, kur ne i rrënuam e mbyllëm objektet e kultit me zell shkatërrimtar, me të njëjtin zell që minojmë besimin te njëri-tjetri në politikë e kudo përgjatë bashkëkohësisë, ajo “kisha xhami” shpë- toi falë mbulimit me këtë emërtesë (monument kulture).
Në vitet 2000, lindi ideja për ta restauruar këtë objekt me një donacion nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Menjëherë pyetjet, që në fakt nuk kërkonin përgjigje, nuk reshten. Si do bëhet? Kishë, xhami, apo monument kulture?! Çdo pohim, në një kah a një tjetër dukej sikur na spostonte “trimërisht” disa shekuj në kohë, duke vendosur përballë mbrojtësit e kalasë së vitit 1479 me pushtuesit e saj. Një debat ky mazokist, sa qesharak, aq edhe i dëmshëm, mes shqiptarësh të etur për vetëprovokim! Grumbulloheshin ndoca për interesa të caktuara së bashku me sehirxhinjët e zakonshëm të vorbulluar nga budallallëku ngjasonin me droçkat në gotën e hirrës që kishte tepruar nga historia.
Një pluhnajë e madhe gjuhë tharëse u ngrit, duke ndalur restaurimin e saj. Përtonin të gjithë të ishin realistë. Ajo ka qenë Kishë disa shekuj dhe u bë Xhami për të tjerë shekuj, më vonë u thirr Kisha-Xhami, e në fakt ajo nuk është më as kishë e as xhami. Ajo duhet restauruar si dëshmi e disa shekujve histori. Larg saj duhet të rrinë katolikët e po kaq larg duhet të rrinë myslimanët. Asaj duhet e mund t’i afrohet me kërshëri çdo qytetar i Republikës, turist apo kalimtar. Në fakt, kjo thirrje nuk vlen për besimtarët e zakonshëm, të cilët zor se do të instrumentalizoheshin nëse nuk do t’u printe kleri i tyre. Të tjera halle jetese e mbijetese kanë ata. Pikërisht, thirrja vlen për prijësit fetarë, të cilët vetëklonohen si pasardhës të Kryqtarve e të Saladinit në mënyrë karikatureske.
Nëse janë të sakta deklaratat e Myftiut të Shkodrës, të cituara nga disa agjensi, ku glorifikohej sulltan Mehmet Fatihu, si dhe kërkohej mbështetje turke për ta restauruar atë si xhami, fakt ky që përcillej me emfazë nga televizioni shtetëror turk, mund të thuhet se po rrëshqasim në një terren provokues. I duhet kujtuar Myftiut të nderuar se ky sulltan ishte pushtues i kësaj toke dhe arbërit, paraardhësit e tij (myftiut) nëse e njeh veten për pasardhës i shkonte në hu me mijëra. Ata derdhen gjak me okë që të mos binin nën zgjedhën e tij. E kemi të vështirë ta pranojmë si shenjtor. Flirti me robërinë shfaqet edhe si nostalgji e mbështjellë me petka fetare. Po ndodh në Kosovë, po ndodh Maqedoni, po ndodh në Shqipëri.
Po kaq preokupuese duhen gjykuar të gjitha ato thirrje për ta restauruar atë si një kishë katolike, sepse historia nuk zhbëhet më. Po, humbja e Shkodrës në 1479 ishte një krusem e madhe për Arbërinë dhe Europën, duke përmbyllur epokën më të lavdishme të kombit tonë, qëndresën. Pas gati 550 vitesh, zor se ndokush mund të identifikohet si trashëgimtar i fituesve apo të humburve të asaj beteje fatidike. I duhet thënë edhe priftit katolik që çon meshë aty, se nuk po bën asnjë gjest heroik, përkundrazi një marri konfliktuale, e cila kënaq vetëm ndonjë mendje të gërbylur nga fanatizmi. Po kaq e mundimshme do jetë që një ditë shqyrtuesit e kohës ta krahasojnë me venecianin Atnono Da Lece mbrojtësin e lavdishëm e fitimtar të vitit 1474, i cili luftëtarve të tij të etur u tha pini gjakun tim e mos u dorzoni.
Shumëkush nga rregulltarët e komuniteteve fetare, kreshpërohet, gazepohet, cimbizet e pothuaj zaliset kur flasim për “katolicizëm”, “ortodoksi” dhe “islamizëm” shqiptar. Gabim e kanë. Çdokush e di se Krishterimi dhe Islamizmi janë dy fe monoteiste që kanë librat, doktrinat e tyre universale. Por po kaq i njohur është fakti se pas pushtimit otoman, në vendin tonë ndodhi një modifikim gradual, siç ishte depërtimi dhe shndërrimi i islamizmit në fe të shumicës së shqiptarve. Pse ndodhi e si ndodhi, ky është tjetër debat! Kjo ndodhi dhe është fakt.
E vërtetë është që ndjekësit e fesë më të vjetër, qoftë ata të së resë, shumë herë nuk i zbatuan me rigorozitet venomet e tyre që do të duhej të përjashtonin njëri-tjetrin duke ruajtur ne thelb marrëdhënien njerëzore, me gjuhë të njëjtë e zakone të përafërta e mbi të gjitha dallimin, mosidentifikimin me pushtuesin. Duhet pohuar se pas Shpalljes së Pavarësisë kombëtare, kontribut i elitave të të gjitha komuniteteve dhe koniunkturës ndërkombëtare (me mbështetje austro-italiane) shqiptarët shfaqën thelbin e tyre modern në qasje me fenë- pranimin e shtetit laik dhe barazinë para ligjit pa rënë në idilizëm.
Zakonisht të jetuarit veç me historinë, konsumimi me tepri i saj ndodh pikërisht në ato vende ku zhvillimi dhe shpresa janë ndalur. Kur standardet e jetës pësojnë rënie, ato demokratike gjithashtu, kur varfëria, korrupsioni, krimi, papunësia ta harkojnë çdo ditë jetën tënde, manipulimi i mendjes dhe shpirtit nuk është i pamundur. Pafuqia për të reaguar ndaj tyre krijon situata të favorshme për të kërkuar e gjetur fajtorin te tjetri, për ta përvijuar bash aty pengesën, honin, fajin, vetë problemin e madh, për të rënë si mëllenjat në grackat e shumta të saj. Instrumentalizimi fetar gjen humusin e tij të përshtatshëm në terrene kësodore.
Shkërmoqja fetare dhe radikalizimi janë qëllime të hershme për këdo që shqetësohet për peshën e faktorit shqiptar në Ballkan në këtë qytet dhe kudo tjetër. Shërbimet e fshehta dhe ato nën dritën e diellit punojnë me tri turne. Po aq edhe politika jonë, e cila flet për harmoninë dhe bashkëjetesën në raste festash shpesh nën rrogoz, pa kurajë publike, i ka fryrë një shtjelle kësodore.
Mbase jo gjithmonë, por jo pak herë nuk kërkohen për deputet, kryetar, drejtues, qytetarë cilësorë me CV profesionale e etike, por shihet përkatësia fetare, si formë propagande e kundërvënieje. Një njeri i ndershëm dhe i zoti përfaqëson më mirë e më shume sesa një “katolik” apo një “mysliman”. Nuk kanë munguar rastet kur në fushata janë përdorur edhe librat e shenjtë për të marrë benë mbi votën. Duket një gjë e vogël sot, por mund të shndërrohet në problem të madh nesër.
Një idiot, hajdut apo i fortë me “identitet fetar të spikatur”, i cili rregullisht mund të shkojë në kishë dhe në xhami është së pari i pandershëm me Hyun, institucionet e kultit dhe po kaq i dëmshëm për besimtaret, jobesimtarët, ateistët, agnostikët, qytetarët në përgjithësi etj. Veç vesit të vet, kjo kategori nuk përfaqëson asgjë tjetër. Ata besojnë vetëm te fryrja e xhepit të vet. Në vitin 1932, Ahmet Zogu me logjikën dhe përgjegjësinë e shtetarit për një shoqëri të kompozuar nga fe të ndryshme, shprehej (i perifrazuar) se “do të jem miku dhe mbështetësi më i madh i besimeve fetare, për sa kohë ato rrinë brenda institucioneve të kultit dhe armiku i tyre më i madh kur ato tentojnë të pushtojnë sheshet publike”. Paria jonë aktuale, që i di të gjitha enigmat e kësaj bote virane, duhet të mësojë diçka edhe nga Mbreti, jo vetëm të mburret me pallatin e tij kur mbllaçiten në darka zyrtare. Hapësira akustike tashmë është pushtuar abuzivisht nga muazinet dhe kembanoret elektronike dhe komuniteti civil me të zgjedhurit e vet hesht. Një dorëzim ky që duhet të marrë fund. Në Shkodër po vihet në diskutim artificialisht një tjetër hapësirë më e ndjeshme, më pak e durueshme, si truk për konflikt, i cili nuk duhet lejuar të mpikset. Shkodranët në shumicë, intelektualët, që nuk i mungojnë qytetit, e dinë se në rruge, në punë, në shkollë, në stadium e kudo janë qytetarë, ndërsa në vetminë e tyre janë çfarë duan vetë, katolikë, myslimanë, të pafe, apo shpotitës të rafinuar, të cilët e përqeshin poetiken e “mejdanit” dhe ndeshjen folklorike në kala, prej së cilës humbasin veç ata. Thjesht duhet ta demonstrojnë të pa kompleksuar qytetarinë e tyre.











